Ndërlidhjet

Klinton: SHBA dhe Bullgaria – partneritet i fortë


Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, arriti sot në Bullgari, me ç’rast u takua me kryeministrin Boiko Borisov.

Me këtë rast zyrtarja e lartë amerikane e ka lavdëruar atë që e cilësoi si partneritet të fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bullgarisë dhe e ka përsëritur përkushtimin e Uashingtonit për sigurinë kombëtare të Bullgarisë.

“Si aleatë në NATO, Bullgaria dhe Shtetet e Bashkuara, po punojnë së bashku në mbarë botën për trajtim të çështjeve kritike – prej sigurimit të tranzicionit të suksesshëm në Afganistan, e deri te mbajtja e paqes në Kosovë”, tha Hillari Klinton, duke shtuar se këtë vit do të ketë një varg të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

Sekretarja Klinton ka kërkuar që Bullgaria ta ndërprejë varshmërinë e saj energjetike nga Rusia, me furnizime të shumëllojshme të naftës dhe gazit.

Ajo theksoi se Uashingtoni është partner në avancimin e sigurisë energjetike të Bullgarisë dhe se një numër i firmave amerikane janë mirë të pozicionuara për të ndihmuar.

Uashingtoni për një kohë të gjatë është ithtar i rrugëve alternative të furnizimit me gaz për në Evropë, që do ta anashkalonin Rusinë.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se varshmëria e Evropës Lindore nga Rusia, në fushë të energjisë, i bënë ato të ndjeshme ndaj presionit politik “jo të shëndoshë” nga Moska.
XS
SM
MD
LG