Ndërlidhjet

Hetimet rreth Martit në raport


Dik Marti
Dik Marti
Çështja e dyshimeve për trafikim me organe njerëzore gjatë luftës në Kosovë, e cila në vitin 2010, tronditi opinionin publik në vend, rajon dhe botë duket se do të riaktualizohet sërish këtë javë.

Raporti i hetimeve të bëra nga task forca speciale për akuzat që dolën nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, do të jetë pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, nuk dihet saktësisht se çfarë do të përmbajë raporti që hyn në kuadër të raportit të zakonshëm të punës së misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe se a do të zë vend në diskutimet që do të zhvillohen në OKB.

Zëdhënësi i task forcës për hetime speciale i EULEX-it, Juri Las, i tha Radios Evropa e Lirë se hetimi i udhëhequr nga prokurori amerikan, Klint Uilljemsën, është ende në fazën e mbledhjes së informatave.

Aktualisht task forca është në procesin e sigurimit të informatave nga një varg burimesh institucionale, duke analizuar këto informata dhe duke kryer aktivitetet hetuese”, u shpreh ai.

Task forca speciale e EULEX-it për hetimin e akuzave që flasin për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së 1999-s u pat themeluar në shtator të vitit të kaluar, ndërsa në në muajin tetor në krye të saj erdhi prokurori Uilljemsën.

Ky i fundit pat qëndruar në Kosovë, Shqipëri e Serbi përgjatë muajve të kaluar për të mbledhur informata rreth akuzave që përfshijnë luftëtarët të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që apostrofojnë edhe emrin e kryeministrit aktual të vendit, Hashim Thaçi.

Mësohet se tanimë është kompletuar ekipi i hetuesve ndërkombëtarë të task forcës speciale, por thuhet se sipas nevojës atij mund t’i bashkëngjiten edhe prokurorë shtesë.

I pyetur për aktivitetet e radhës së task forcës hetuese, Las u shpreh:

Zoti Uilljemsën vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën para dy javësh. Në javët e ardhshme ka gjasa që ai ta vizitojë sërish Beogradin”, tha Las.

Zyrtarët e shtetit serb kishin kërkuar vazhdimisht që çështja e akuzave të Dik Martit të dërgohet për shqyrtim në instancat vendimmarrëse të OKB-së.

Prokurori amerikan Uilljemsën pat paralajmëruar se hetimet mbi dyshimet për trafikim me organe njerëzore do të jenë “të gjata dhe komplekse”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se është ende herët të flitet për ndonjë rezultat konkret në këto hetime.

Ajo shprehu bindjen se raporti i parë të task forcës speciale të EULEX-it do qetësojë rrëmujën e paqartësive mbi akuzat e zviceranit Marti.

Do të jetë një raport, i cili në njëfarë mënyre duhet ta qetësojë situatën rreth raportit të Dik Martit, sepse ai ishte përplot argumente të cilat nuk bazoheshin në burime e fakte. Andaj, ky raport do të jetë relevant për dialogun dhe bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet Beogradit e Prishtinës por edhe Tiranës. Megjithatë, varet se për përfshirjen e kujt do të flitet-mund të jetë ky trekëndësh, por mund të jetë një rrjet më i gjerë ndërkombëtar”, tha ajo.
XS
SM
MD
LG