Ndërlidhjet

FP: Ngrirja në errësirë



"Foreign Policy"


Po bëhet traditë evropiane dimërore.

Në vitin 2006, 2009 dhe sërish tash në vitin 2012, kur temperaturat kanë rënë, Rusia ndërprenë furnizimin me gaz.

Por, ndërsa ky spektakël, mjerisht është familjar, përgjigja e Evropës vazhdon të pengohet nga ndasitë e brendshme, kompanitë evropiane të gazit miqësore me Moskën dhe makineria e mençur e Kremlinit.

Ngrirja e thellë e Evropës nuk është më shaka.

Borë e dendur ka rënë në Romë për herë të parë në çerekshekull, kanalet e Venedikut janë ngrirë, ndërsa temperaturat në Ukrainë kanë rënë në minus 32 gradë celsius. Si rezultat më shumë se 300 njerëz kanë vdekur përgjatë kontinentit.

Eksporti i gazit nga Rusia ka rënë për 15 për qind, ndërsa konsumimi i tij është rritur në këtë kohë të ftohtë- që nënkupton se ka sasi më të vogël për shpërndarje.

Shpërndarja në disa shtete si në Austri e Bullgari është ulur për 30 për qind, dhe Rusia akuzon shtetin tranzit Ukrainën për këtë.

Ndryshe nga viti 2009, kur shkurtimi qe bërë për shkak të kontestit për çmimin, tash duket se kompania që ka monopolin mbi gazin, Gazprom, thjesht nuk ka kapacitet për t’i shërbyer edhe tregut të brendshëm edhe atij ndërkombëtar, ndërsa kryeministri Putin, ka urdhëruar kompaninë, që t’i ketë prioritet konsumatorët rusë.
Ndërsa SHBA është bërë shtet i “pavarur” për energjinë, Evropa ka shkuar në drejtim të kundërt.

Evropianët janë përqendruar në zvogëlimin e kërkesës, zhvillimin e energjisë së ripërtërishme dhe arritjen e marrëveshjeve individuale me Rusinë.

Mbyllja e reaktorëve bërthamorë të Gjermanisë dhe vendimi Italisë, që të mos rifillojë programin bërthamor pas tragjedisë së Fukushimës, do të rrisë varësinë e Evropës në gazin rus.

Nuk duhet të jetë kështu, burimet e mëdha të shistit argjilor të Evropës, që mund të jenë sa dyfishi i rezervave konvenciale të gazit natyror të kontinentit.

Sfidat për zhvillimin e këtyre burimeve janë më shumë politike sesa shkencore, duke marrë parasysh këtu kundërshtimin e këtij burimi natyror nga ana e ambientalistëve, politikanëve, por edhe grupeve të interesit të lidhura me Gazpromin.

Ndërkohë, për të zmbrapsur përpjekjet e Evropës në gjetjen e furnizuesve tjerë, Rusia ka çuar përpara gazsjellësin tjetër të njohur si Nordstream.

Disa javë para se të jepte dorëheqje si kancelar i Gjermanisë në vitin 2005, Gerhard Shroder u bë kryesues i komitetit të aksionarëve të Nord Stream-it, që bashkë me Gazpromin, përfshihen edhe dy kompanitë më të mëdha gjermane Wintershall dhe E.ON.

Kjo aleancë në mes të gjigantëve energjetikë rusë dhe gjermanë ka sjellë shqetësime në Evropën Lindore: Në vitin 2006 ministri polak i mbrojtjes Radek Sikorski tha se kjo ngjall kujtimet e kohës së nazizmit, përkatësisht Paktit Molotov-Ribentrop.

Rusia po ashtu planifikon gazsjellësin tjetër të quajtur South Stream, që do ta pavarësonte në masë të madhe shtetin rus nga përdorimi i rrugës tranzitore nëpër Ukrainë.

Por, i vlerësuar të jetë 50 për qind më i shtrenjtë sesa Nabuko, që mbështetet nga BE-ja, racionaliteti komercial i South Streamit duket i mjegullt.

Evropa duhet të marrë veprime vendimtare. Liderët e saj duhet të heqin iluzionet se ende mund të llogarisin në njerëzit e pamëshirshëm e cinikë të Kremlinit.

Qëndrimi duhet të merret nga pozita e të fortit. Po që se Gjermania po tregon një padurim me mosdisiplinën fiskale të eurozonës, duhet të shfaq edhe vetë një disiplinë, më shumë sesa vetëkufizim, në sferën energjetike.

Mësimi nga dekada e kaluar që kur nisi kriza me gazin është se në planin afatgjatë, eksportuesit e energjisë, vuajnë më shumë sesa vetë konsumatorët në lidhje me embargot dhe monopolet politike.

Evropa duhet ta sfidojë Putinin me çështjet e drejtave të njeriut dhe ato gjeopolitike, dhe të vendosë parimet e saj në promovimin e tregjeve të lira.

Janë disa propozime se si do të mund të dilte Evropa nga kjo varësi ruse dhe “të mos bie pre e tregimeve të frikshme të atyre, që nuk kanë gjë tjetër në mendje, pos interesat vetjake”.

Kjo është mënyra më e mirë për të shmangur ngrirjen në errësirë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG