Ndërlidhjet

Inaugurohet Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit


Në organizim të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga u mbajt mbledhja inauguruese e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Në organizim të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga u mbajt mbledhja inauguruese e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Me qëllim të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ka deklaruar se ky këshill është një nismë dhe një mekanizëm i autoritetshëm dhe i nevojshëm krahas të gjithë mekanizmave të tjerë ekzistues në luftën kundër korrupsionit.

Si presidente e vendit do të ndërmarr çdo veprim kushtetues dhe ligjor që shton efikasitet dhe efektivitetin e punës së institucioneve, të shoqërisë civile, të mediave dhe të çdo qytetari, për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin konkret në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit. E kam vullnetin dhe përkushtimin që punët t’i çoj deri në fund - nuk do të ndalem përpara asnjë sakrifice dhe nuk do të kursehem nga asgjë. Jam plotësisht e bindur se në punën tonë, pra në punën e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, do të kemi sukses të plotë”, tha presidentja.

Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i themeluar me iniciativën e Presidentes Jahjaga, ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe të aktiviteteve të institucioneve dhe të agjencive në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimeve të tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Inagurimi i Këshillit Kundër Korrupsionit
Inagurimi i Këshillit Kundër Korrupsionit
Presidentja Jahjaga tha se institucioneve të vendit, në drejtim të luftës kundër korrupsionit, nuk u lejohet dështimi as nga qytetaret e as nga ndërkombëtaret

Neve nuk na lejohet dështimi. Këtë nuk na e lejojnë qytetarët e Kosovës. Këtë nuk na lejojnë miqtë tanë ndërkombëtarë që presin shumë dhe që i kanë dhënë përkrahje të parezervë kësaj nisme të presidentes. Qytetarët presin qe shteti të jetë në shërbim të tyre. Që ne të jemi në shërbim të tyre. Qytetarët presin që të qeverisim me duar të pastra. Qytetarët presin që plotësisht ta realizojmë parimin askush mbi ligjin. Zero Tolerancë ndaj Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha presidentja Jahjaga.

Të pranishëm në takim, me rastin e fillimit të punës së këtij këshilli, ishin kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ambasadorë e krerë të institucioneve gjyqësore dhe organizatave joqeveritare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se institucioni të cilin e drejton ka miratuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve që ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit .

Por, sipas tij deri më tash nuk është arritur që në mënyrë e duhur të luftohet korrupsioni dhe dukuritë tjera negative.

Për hirë të së vërtetës, duhet ta themi se shoqëria kosovare dhe institucionet e Kosovës gjatë këtyre viteve nuk kanë arritur ta luftojnë në shkallën e duhur asnjë formë të krimit të organizuar. Nuk është vetëm korrupsioni në shoqërinë e Kosovës që është duke e penguar zhvillimin demokratik dhe ekonomik të këtij vendi, por edhe mosluftimi i krimeve të ndryshme. Krimi është duke penguar edhe në sferën politike dhe ekonomike, është duke e penguar Kosovën, shtetin tone të ri, për të ecur në rrugën e demokratizimit, të zhvillimit dhe integrimeve”, u shpreh Krasniqi.

Edhe Kryeministri i ka dhënë përkrahje iniciativës, duke shprehur besim për një sukses të përbashkët.

Lufta kundër veprimeve të tilla negative është ndër prioritetet më të larta të përditshme të të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës. Themelimi i këtij këshilli kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një mesazh se ne duhet të bëjmë edhe me tepër. Edhe ky takim është një mesazh i qartë për të gjithë, se do të vazhdohet kjo betejë me intensitet me të lartë dhe vendosmëri edhe me të lartë”, theksoi Thaçi.

Këshilli do të nxjerrë raporte të rregullta për punë dhe aktivitete të veta.

Ai do të koordinojë aktivitete për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit; do të identifikojë dhe koordinojë aktivitete në përkrahje të zbatimit të strategjisë kombëtare në luftën kundër korrupsioni.

Këshilli po ashtu do të përcaktojë prioritetet dhe politikat për zbatimin e agjendës legjislative në ngritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit, si dhe do të rrisë vetëdijen e shoqërisë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
XS
SM
MD
LG