Ndërlidhjet

Kosova shënon 4 vjetorin e pavarësisë


Nga përvjetori i tretë i pavarësisë, Prishtinë, 2011
Nga përvjetori i tretë i pavarësisë, Prishtinë, 2011
Kosova feston 4 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Ditës së pavarësisë i parapriu një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, në të cilën liderët institucionalë u shprehën se Kosova paraqet një tregim të suksesit.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ëndrra e Kosovës për t’u bërë shtet u realizua me sakrificat e mëdha të popullit dhe ndihmën e madhe nga shtetet aleate me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse sot, kur është e pavarur, Kosova, nënvizoi Jahjaga, e ka vendin e vet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se 17 Shkurti i vitit 2008 paraqet datën më kulmore të historisë së Kosovës. Ai tha se Republika e Kosovës është një tregim i suksesit, me të cilin mund të krenohet bashkë me partnerët ndërkombëtar.

Jakup Krasniqi, tha se shpallja e pavarësisë ishte sublimin i aspiratave shekullore të popullit të Kosovës. Ai tha se për katër vjet të pavarësisë, Kosova ka shënuar shumë përparime, por si një shtet i ri ende ka shumë sfida.

Në anën tjetër, Kosovës i kanë arritur mesazhe urime nga burrështetas të ndryshëm si dhe nga oborre mbretërore evropiane.

Presidenti amerikan Barak Obama në telegramin e urimit dërguar presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë.

“Në emër të popullit amerikan, unë ju përgëzoj për përvjetorin e katërt të Ditës suaj të Pavarësisë. Që nga shpallja e saj si shtet sovran, i pavarur, më 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në ndërtimin e një demokracie multietnike, pluraliste dhe tolerante në zemër të Ballkanit."

"Përmes angazhimit tuaj për thirrjen tuaj evropiane dhe përkushtimin tuaj për reforma të mëtejshme politike, ekonomike dhe të sundimit të ligjit, unë jam i bindur që Kosova mund të sigurojë integrimin e saj të plotë në komunitetin euroatlantik”, thuhet në urimin e presidentit Obama.

Ndërsa të premten, do të ketë manifestime të organizuara nga institucionet për të shënuar katërvjetorin e shtetit, që njihet nga 87 shtete, por që ende nuk ka të zgjidhura disa probleme me Serbinë, nga e cila u pavarësua më 17 shkurt të 2008-ës.
XS
SM
MD
LG