Ndërlidhjet

BE vendos për Serbinë, Thaçi në Bruksel

  • RFE /RL

Bruksel...

Bruksel...

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në Bruksel, ku pritet të takojë shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, si dhe komisionarin për zgjerim, Shtefan Fyle.

Sipas burimeve të BE-së, kjo vizitë ka për qëllim që zyrtarët evropianë personalisht të urojnë dhe falënderojnë kryeministrin Thaçi për, siç thuhet, kontributin e tij në arritjen marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë, sot në Bruksel nis samiti dyditësh i shefave të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, ku në mesin e temave pritet të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.

Udhëheqësit e bllokut po ashtu pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.

Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe Rumaninë, u kanë rekomanduar të martën udhëheqësve evropianë të miratojnë kandidaturën evropiane të shtetit serb.

Delegacioni rumun ka kundërshtuar vendimin e tillë për Serbinë, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së pakicës vllahe në këtë vend.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së pohojnë se tashmë ka pajtim në mesin e të gjitha shteteve anëtare se Serbia e ka merituar statusin e kandidatit dhe se i ka përmbushur kërkesat në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.

Këshilli i Evropës pritet të diskutojë edhe situatën ekonomike në Evropë, ashtu si dhe situatën në Siri.(v.t.)
XS
SM
MD
LG