Ndërlidhjet

Obama nuk përjashton ndërhyrjen në Iran


Barak Obama
Barak Obama
Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të sulmojnë Iranin me forcë ushtarake për ta penguar nga zhvillimi i armëve bërthamore, por ai tërhoqi vërejtjen se “bisedat e shumta për luftën” vetëm sa i kanë ndihmuar Iranit dhe kanë ngritur çmimin e naftës.

Duke folur para një grupi të fuqishëm lobues pro-izraelit, Obama i apeloi edhe njëherë Izraelit, që t’iu japë kohë sanksioneve të japin efektin e tyre.

Kam thënë se sa i përket pengimit të Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, nuk heq asnjë opsion nga tavolina dhe kur them këtë, e kam me gjithë mend. Kjo përfshin të gjitha elementet e pushtetit amerikan: përpjekjet politike që kanë për qëllim izolimin e Iranit; përpjekjet diplomatike për të ruajtur koalicionin tonë dhe për të siguruar se programi iranian është duke u monitoruar; përpjekjet ekonomike për të vendosur sanksione dhe po, përpjekjet ushtarake për t’u përgatitur për të paparashikuarën”, tha Obama para Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështje Publike.

Izraeli është i shqetësuar se Irani mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore, të cilat do t’i përdorte kundër shtetit izraelit.

Por, Irani këmbëngul se reaktorët bërthamorë të tij janë për kërkime mjekësore dhe për energji.

Obama ka përçuar një mesazh te liderët iranianë.

Liderët e Iranit duhet ta dinë se unë nuk zhvilloj politikë kontrolli; unë zhvilloj politikën e pengimit të Iranit nga ndërtimi i armës bërthamore. Dhe siç kam thënë gjatë mandatit tim presidencial, nuk do të hezitojë të përdorë forcën kur është e nevojshme, për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe interesat e saj”, tha Obama.

Këto komente, Obama i bëri një ditë para se të takohet me kryeministrin izarelit Benjamin Nataanjhau në Uashington.

Në takim pritet që të zgjidhen dallimet e liderëve në lidhje me Iranin.

Natanjahu, që po ashtu do t’i adresohet pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, grupit lobues pro-izraelit- shpreson të marrë qartësi nga Obama, se çfarë rezultatesh pret nga sanksionet e shtuara ndaj Iranit.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Izraelit ka shprehur skeptizimin në lidhje me Iranin, duke thënë se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për ta ndalur dhunën në Siri, tregon se nuk mund ta mbrojë as Izraelin.

Avigdor Liberman tha se paaftësia e liderëve ndërkombëtarë dhe punëtorëve humanitarë për të ndalur apo zbutur “vrasjet sistematike të civilëve të pafajshëm” në Siri "i sfidon të gjitha premtimet e komunitetit ndërkombëtar se ata janë përgjegjës për sigurinë tonë”.

Ndërsa Irani, pret të hënën rezultate finale të zgjedhjeve parlamentare, në të cilat tashmë është bërë e ditur se janë në epërsi rivalët konservatorë të presidentit Mahmud Ahemdinexhad.

Vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve do të ketë ndikim të madh në politikën e jashtme të Iranit, përfshirë edhe kontestin bërthamor me Perëndimin.(a.i.)
XS
SM
MD
LG