Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare dhe organizatat joqeveritare japin vlerësime të ndryshme për efektin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal me Serbinë në rrafshin ndërkombëtar.

Derisa në Ministrinë e Punëve të Jashtme, presin një valë të re të njohjes së shtetit nga vendet që ende nuk e kanë njohur, në Klubin për Politikë të Jashtme shprehin bindjen se procesi i njohjeve do të ngecë.

Alban Bokshi, nga ky klub, thotë se vetë pranimi dhe prezantimi i Kosovës në nismat rajonale me anë të fusnotës do të bëjë që njohjet për shtetin e Kosovës do të vonojnë.

Sipas tij, Serbia si argument shtesë kundër njohjeve të Kosovës do të shfrytëzojë Rezolutën 12 44, që institucionet kosovare e kanë pranuar si pjesë në përfaqësimet e tyre në nismat rajonale.

Me një fakt të tillë, ta quajmë kushtimisht fakt, Serbia mundet të lobojë nëpër botë kundër Kosovës dhe të thotë që vetë Kosova e ka pranuar Rezolutën 12 44, e cila formalisht e njeh Kosovën si pjesë të ish-Jugosllavisë, tash si pjesë të Serbisë. Kjo mund t’i shkaktojë problem Kosovës, dhe kam frikë se do t’i vonojë njohjet në vend se t’i shtojë”, shprehet Bokshi.

Kurse, në Ministrinë e Punëve të Jashtme e thonë të kundërtën, duke theksuar se asnjë proces i jashtëm nuk mund t’i ndalë njohjet e reja për Kosovën.

Artan Behrami, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se në ditët dhe muajt në vijim do të ketë njohje të reja për Kosovën.

Në këtë rast ne mendojmë që marrëveshja e fundit që është arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nuk do të ndikojë negativisht në procesin e njohjeve. Ne presim në ditët, javët dhe muajt e ardhshëm njohje të reja. Dhe besoj që deri në fund të viti do të kemi mbi gjysmën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, thotë Behrami për Radion Evropa e Lirë.

Ai kujton kohën kur pat nisur dialogu Prishtinë-Beograd, zhvillimi i të cilit sipas tij, po ashtu, ishte përcjellë me skepticizëm sa i takon procesit të njohjeve.

Ai thotë se pavarësisht paragjykimeve të tilla, Kosova ishte njohur nga 13 shtete të tjera.

Procese të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluar edhe kur ka qenë dialogu teknik, ka pasur opinione që kanë thënë se procesi do të ngecë, se nuk do të ketë njohje të reja, por, është dëshmuar që njohjet nuk do të ndalen dhe ne besojmë që edhe pas kësaj marrëveshjeje do të kemi njohje të reja të pavarësisë së Kosovës”, thekson Behrami .

Republika e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të vitit 2008, sipas zyrtarëve të qeverisë së vendit, është njohur nga 88 shtete, por ky numër i njohjeve, brenda katër vjetëve, nga njohësit e rrethanave diplomatike dhe analistët e çështjeve politike, vlerësohet si një numër jo i mjaftueshme për katër vjet shtet.

Në mesin e shteteve që thuhet se kanë njohur shtetësinë Kosovës, por që nuk janë dorëzuar notën verbale janë Omani dhe Nigeria.

Ka shtete të cilat janë vonuar në sjelljen e notës verbale, mirëpo pranimin e pavarësisë së Kosovës e kanë bërë në mënyrë publike. Dhe ne besojmë dy shtete shumë shpejt do t’i sjellin edhe notat verbale. Do të thotë ne kemi pasur një notë verbale, dhe kemi pasur një rikonfirmim gjatë vizitës së kryeministrit dhe ministrit në Nju Jork, se ky shtet e ka pranuar pavarësinë e Kosovës”, shprehet Behrami.

As ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, nuk arriti të sjellë qartësi për këtë çështje.

Për Omanin neve nuk na ka ardhur ndonjë njohje me shkrim që jemi në rajon. Por, nga ministria është konfirmuar, nga vet ministri, që ajo është kryer në Nju Jork”, deklaroi Ambasadori Rexhep Boja për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës figuron se deri më tash, numri i vendeve që kanë njohur shtetin e Kosovës është 88.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG