Ndërlidhjet

Maqedoni, valë e re shtrenjtësie


Ilustrim
Ilustrim
Valë e re e shtrenjtimit të ngrohjes dhe karburanteve ka përfshirë Maqedoninë, që, sipas njohësve të zhvillimeve ekonomike, do të reflektohet edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të shërbimeve tjera komunale.

Në bazë të një vendimi më të ri të Komisionit Rregullator për Energji elektrike, shumë lagje të Shkupit që shfrytëzojnë shërbimet e kompanisë, Elem-Energetika, që nga ky muaj do të paguajnë fatura për ngrohje më të larta për 35 për qind.

Ditë më parë, Komisioni Rregullator për Energjetikë ngriti edhe çmimet e karburanteve në masën 7 për qind, ndërsa ngritje të reja nuk përjashtohen as në fillim të javës që vjen.

Për shkak të rënies së standardit të jetesës, shumë familje janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes...
Për shkak të rënies së standardit të jetesës, shumë familje janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes...
Një nga anëtarët e Komisionit Rregullator, Ruhi Bakiu, thotë se rritjet e këtilla janë si rezultat i rritjes së çmimit të derivateve të naftës në tregjet botërore. Ai thotë se komisioni është duke shqyrtuar mundësitë e ndërhyrjes ligjore për mbrojtje nga rritjet, por jo gjithçka varet nga masa e këtillë.

“Komisioni Rregullator është në fazën e përgatitjes së akteve nënligjore, të cilat lënë hapësirë për eliminimin eventual të ngritjes permanente të çmimit të ngrohjes. Kjo nuk varet shumë nga ana e Komisionit Rregullator dhe nga rregullativa sekondare që do ta miratojmë ne, por do të varet edhe nga çmimi i energjisë, që merr pjesë me 70 për qind në formimin e çmimit për ngrohje - fjalën e kam për çmimin e gazit natyror dhe të mazutit që e shfrytëzojnë kompanitë rreth prodhimit të energjisë për ngrohje”, thotë Ruhi Bakiu, anëtar i KRrE-së.

Ndaj rritjeve të këtilla të çmimeve kanë reaguar nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, duke kërkuar vendosjen e kontrollit pasi Maqedonia, sipas tyre, udhëheqë listën e shteteve me çmime më të larta të ngrohjes, por edhe të shumë shërbimeve tjera. Kjo ka bërë që këtë vit shumë familje të heqin dorë nga shërbimet duke kërkuar alternativa tjera për ngrohje.

“Për shkak të rënies së standardit të tyre të jetesës, këtë vit shumë familje janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes, pasi nuk mund t’i përballojnë çmimet e larta. Shumica e tyre kanë zgjedhur energjinë elektrike duke ngrohur vetëm një dhomë apo ambient më të vogël të shtëpisë së tyre ”, thotë Marija Lonçar, nga Shoqata e Konsumatorëve, sipas së cilës, vendimet e këtilla të KRrE-së, do të reflektohen në ngritjen edhe të çmimeve tjera.

Me qëllim, siç thonë, mbrojtjen e qytetarëve nga kriza e thellë ekonomike, nga LSDM-ja opozitare, ditë më parë propozuan dhjetëra masa anti-krizë që përfshinin uljen e tatimeve, të akcizave për karburante, ndarjen e vauçerëve në vlerë prej 2 mijë denarëve (apo diçka mbi 30 euro) për familjet me të ardhura më të ulëta.

Por, të gjitha këto masa u refuzuan nga Qeveria me arsyetimin se ato janë për nevoja të politikës ditore, meqë masa edhe më të mira tashmë janë miratuar nga ekzekutivi.

Izet Zeqiri, profesor i Ekonomisë dhe deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare, duke komentuar akuzat e këtilla ndërmjet pozitës dhe opozitës maqedonase, lidhur me masat ekonomike, thotë se Qeveria në rast se refuzon zgjidhjet e opozitës, duhet të dalë me propozime të reja pasi ato që kishte miratuar nga viti 2009, nuk dhanë asnjë efekt.

“Mendoj se nëse Qeveria nuk i pranon masat anti-krizë të opozitës atëherë Qeveria duhet të dalë me propozim-masa që do t’i propozojë për miratim në Kuvend dhe në njëfarë mënyre të zhbllokohet gjendja e pandryshuar ekonomike në Maqedoni”, thotë Zeqiri.

Sipas hulumtimeve të prezantuara nga Zeqiri, varfëria në Maqedoni ka shënuar rritje prej 30.9 për qind, ndërsa 42 për qind e personave të punësuar jetojnë në varfëri për shkak të të ardhurave të ulëta dhe rritjes së pandërprerë të çmimeve për konsum të përditshëm. Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, përqindjet e këtilla do të jenë shumë më të larta.
XS
SM
MD
LG