Ndërlidhjet

Salamworld- rrjet për myslimanët

  • RFE /RL

Salamworld

Salamworld

Një rrjet social për myslimanët të tërë botën? Kështu po e promovon veten Salamworld – një kompani private me origjinë nga ish Republikat sovjetike.

Salamworld thotë se kur të nis së funksionuari në internet në muajin gusht, nuk do të jetë si Facebook apo rrjetet tjera sociale, sepse përmbajtjen do ta ketë “Hallall”- në përputhje me parimet islamike.

Salamworld po ashtu planifikon që të ofrojë përmbajtje islamike për përdoruesit e tij - përfshirë një bibliotekë islamike, predikimet nga shkollarët islamikë dhe videolojërat e krijuara nga “myslimanët për myslimanët”.

Me zyrën e parë në Qendrën Kulturore Islamike të Moskës në Kajro dhe selinë e re në Stamboll, Salamworld thotë se synon të tërheqë 30 milionë myslimanë brenda tre vjetësh.

Por, disa myslimanë shprehin shqetësimin për lidhjet e dukshme të Salamworld me Moskën dhe Qeveritë e Republikave tjera sovjetike.

Ata po ashtu duan të dinë identitetin e atyre që kanë ofruar një kapital prej 50 milionë dollarësh kompanisë, për të filluar punën- që mbetet ende i paidentifikuar, edhe pse kompania është zotuar se do të publikojë emrat e atyre që thotë se janë “binzesmenë privatë në Kazakistan”.

Nuri Uali kryeson ueb faqen për afganët jashtë shtetit "Afghan German Online". Ai thotë se afganët kanë trashëguar një mosbesim ndaj çfarëdo projekti që lidhet me Moskën e pretendon të jetë islamik.

Si një mysliman dhe si një afgan, mendoj se është një komplot, nga i cili kurrsesi nuk do të përfitojë islami. Në të kundërtën, do ta dëmtojë islamin. Duke përdorur mënyrat që ata i dinë me vite, ata synojnë që të përçajnë dhe do ta dëmtojnë islamin dhe reputacionin e tij”, thotë Uali.

“Blogeri gomar” i Azerbejzhanit, Adnan Haxhizadeh, i burgosur për një vit nën akuzat për huliganizëm, pasi që kishte satirizuar qeverinë e Azerbejxhanit në vitin 2009, ka dyshime për Salamworld-in.

Edhe më tej mendoj se është një projekt biznesor, por po ashtu kam dëgjuar nga disa myslimanë në Facebook se nuk do t’i bashkohen rrjetit Salamworld, sepse frikësohen se ky është një rrjet i krijuar nga disa forca që dëshirojnë të identifikojnë myslimanët aktivë në pjesë të ndryshme të botës dhe më vonë, t’i përgjojnë, ose tëi përndjekin, ose gjëra të tilla. Megjithatë, nuk kam prova për këtë”, thotë Haxhizadeh.

Identitetet e drejtuesve të Salamworld janë burim shqetësimi. Drejtori i kompanisë është Abdul-Vahed Nijazov, që po ashtu kryeson Qendrën Kulturore Islamike me seli në Moskë—një njësi e Këshillit të Myftijve të Rusisë- një trup i lidhur me Kremlinin.

I lindur si tatar, Nijazov ka një të kaluar të lidhjeve me autoritetet ruse dhe është zgjedhur në Dumën ruse në vitin 1999 si anëtar i bllokut të Unitetit, që më vonë u shndërrua në partinë, Rusia e Bashkuar, e tashmë presidentit të zgjedhur, Vlladimir Putin.

Ai ka kaluar tre vjet duke u përpjekur që të ndërtojë mbështetjen në mes të liderëve myslimanë në botë. Duke udhëtuar në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme, Azinë Juglindore dhe në Evropë, Nijazov ka fituar mbështetjen e autoriteteve si kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Said Akil Siraxh –lideri i organizatës më të madhe myslimane në Indonezi, Nahdlatul Ulama.

Nijazov ka refuzuar që të flasë për Radion Evropa e Lirë, duke i referuar pyetjet për politikën “pa politikë” të Salamworld te zëdhënësi i tij Javuz Selim Kurt – i cili këmbëngul se kompania është jopolitike dhe nuk ka lidhje qeveritare.

Ne themi pa politikë. Kjo nënkupton s’ka politikë për ne. Ne nuk favorizojmë ndonjë parti. Ne jemi neutralë. Secili mund ta shprehë veten lirshëm, por Salamworld nuk është përfshirë në asnjë diskutim politik. Ata mund të kenë ide politike dhe mund të shprehen lirshëm. Por, ne kemi disa kritere. Nuk do të ketë promovim të dhunës. Nuk do të ketë deklarata terroriste ose nuk do të ketë asgjë kundër humanizmit dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë Kurt.

Nënpresidenti i Salamworld, Ahmed Azimov është zhvendosur nga qyteti i tij i lindjes Makaçkala, kryeqyteti i Dagestanit, në vitin 1998 në Shën Petërsburg për të studiuar në Universitetin shtetëror. Ai ka shkuar në Moskë pas përfundimit të studimeve në Shën Petërsburg dhe tani shërben si zëvendëspresident i Këshillit për Çështje të Kombësive në qeverinë komunale të Moskës. Ai po ashtu koordinon Bordin e Ekspertëve të Këshillit të Myftinjve Rusë.

Elkin Asgarov, një qytetar i Azerbejxhanit, që është anëtar i bordit të Salamworld, po ashtu ka lidhje qeveritare. Deri në vitin e kaluar ai ka shërbyer si zëvendëskryesues i Komitetit Shtetëror për Punë me Organizatatat Fetare në Baku- trup që mbikëqyr religjionin në Azerbejxhan.

Në këtë post qeveritar, Asgarov ka punuar kundër politizimit të islamit, duke përdorur gazetën zyrtare të parlamentit për të akuzuar Partinë Islamike të Azerbejxhanit dhe udhëheqjen e saj për “sabotim kundër kombit dhe shtetësisë”, pasi që kishin protestuar ndaj ndalesës së mbajtjes së shamive në shkolla.

Duke punuar për Salamworld, Asgarov ka udhëtuar në Iran në vitin e kaluar për të diskutuar bashkëpunimin me zyrat e Ajatollahut të Madh, Naser Makarem Shirazi dhe me ministritë e komunikimit, të rinisë dhe sportit të Iranit. Kurt thotë se kompania planifikon që të hapë edhe një zyrë në Teheran.

Udhëheqësia e Salamworld po ashtu përfshin myslimanë tjerë të shquar dhe biznesmenë nga Rusia, Azerbejxhani, Dagestani dhe ish republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

‘Kryeredaktor’ i përmbajtjes së uebfaqes islamike është Elmir Gulijev, autor o interpretimit rus të Kuranit. Këshilli i Myftinjëve të Rusisë, po ashtu ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Salamworld.

Sajmon Dejvis, nga “London School of Economics” dhe drejtor i Privacy International, thotë se ekziston një e kaluar e pasur e infiltrimit të qeverive në kompanitë teknologjike.

Dejvis thotë se lidhjet e Kremlinit me udhëheqësinë e Salamworld janë të dyshimta.

"Në fillim isha pak skeptik dhe mendoj se ky është një front për një investitor financiar, i cili është i motivuar politikisht. Por, tingëllon më shumë sesa kaq. Ata duket se po luajnë një lojë të dyfishtë. Kjo është intriguese. Përfundimisht një kurdisje politike. Ata duan që të infiltrohen”, thotë Dejvis.

Por, zëdhënësi i Salamworld, Kurt, këmbëngul se projekti nuk është asgjë më shumë sesa një ndërmarrje tregtare që kërkon fitim për investitorët e saj pa emër, nga futja në një treg global në rritje për prodhimet islamike.(a.i.)
XS
SM
MD
LG