Ndërlidhjet

Reformat zgjedhore dhe kushtetuese, në finale


Foto nga arkivi...
Foto nga arkivi...
Ka mbetur edhe pak kohë që grupet punuese për amandamentimin e Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhjet e përgjithshmen të dorëzojnë në Kuvend propozimet e tyre, të bëra për ndryshmet në këto akte juridike.

Drejtuesit e komisionit kushtetues dhe atij për amandamentimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, thonë se janë në përfundim të punëve.

Arsim Bajrami, kryetar i komisionit kushtetues, thotë se aktualisht komisioni është në fazën finale të ndryshimeve kushtetuese.

Pothuajse të gjitha çështjet kanë përfunduar. Kemi pasur 2-3 çështje të hapura, edhe ato çështje tani i kemi tejkaluar dhe absolutisht çdo zgjidhje kushtetuese që ne do t’ia rekomandojmë Kuvendit, është miratuar me konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve dhe me konsensus të plotë të të gjithë liderëve politikë, të cilët kanë qenë pjesë e procesit kushtetues, dhe me të cilët komisioni kushtetues ka pasur disa mbledhje të përbashkëta, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi i nevojshëm për ndryshime kushtetuese”, deklaron Bajrami për Radion Evropa e Lirë.

Ndër çështjet që janë diskutuar më së shumti, dhe që janë propozuar të futen në Kushtetutën e amandamentuar, janë ato se kush mund të jetë president, kush mund ta propozojë një kandidat për president, mandati i presidentit, zëvendësimi i presidentit, betimi, dorëheqja dhe shkarkimi i tij.

Bajrami thotë po ashtu se bashkë me grupin punues, ka arritur pajtueshmëri edhe për nenin 84, që ka të bëjë me presidentin.

Komisioni Kushtetues ka finalizuar amandamentimin e nenit 84, dhe ne presim që të premten të behet edhe votimi final i këtyre amandamenteve. Pas një procesi të gjatë të harmonizimit dhe takimet me liderët e partive politike, ne kemi arritur që të definojmë në mënyrë të qartë dhe precize kompetencat e presidentit, dhe mendoj që ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse krahas një presidenti të zgjedhur nga populli, do të kemi një president me kompetenca shumë të qarta. Përgjithësisht, kjo reformë do të instalojë mjaft fuqi kushtetuese për presidentin. Kosova nuk do të ketë një president formal apo ceremonial, por një president shumë aktiv në pikëpamjet kushtetuese”, shprehet Bajrami.

Komisioni Kushtetues, në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ka organizuar konsultime të drejtpërdrejta me qytetarët në tërë Kosovën, për të dëgjuar vërejtjet, komentet dhe sugjerimet e tyre.

Anëtarët e komisionit kanë konfirmuar se disa nga propozimet e qytetarëve jenë marrë parasysh, dhe siç thonë ata, do të jenë pjesë e Kushtetutës së re të Kosovës.

Komisioni Parlamentar për ndryshimet kushtetuese beson se do ta përfundojë me kohë punën, në mënyrë që më pas, Kuvendi me dy të tretat e votave, t’i votojë këto ndryshime.

Ndërkaq, për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhjet, përkatësisht ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, është përgjegjës komisioni për amandamentimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Edhe drejtuesit e këtij komisioni bëjnë të ditur se janë në përfundim të punëve.

Haki Demolli, kryetari i këtij komisioni, tha se mbi 90 për qind e punëve tashmë kanë përfunduar.

Mund të them se sa i takon këtij procesi, mbi 90 për qind thuajse jemi në përfundim e sipër. I vetmi problem me të cilin është duke u ballafaquar komisioni është puna e sistemit zgjedhor, për të cilin kërkohet një lloj konsensusi mes udhëheqësve politikë”, bën të ditur Demolli.

Megjithatë, ai thotë se janë edhe disa çështje që pritet të përfundojnë së shpejti.

Faktikisht ka mbetur që grupi, pas aprovimit të disa amendamenteve, të fillojë të punojë në draft-ligjin e ri, të cilin sipas të gjitha gjasave, do ta përfundojmë deri në fund të muajit mars. Pas muajit mars në si komisionin bashkë me grupin punues do të kemi një punëtori disa ditore në të cilën do të diskutohet nen per nen dhe me pas do te përgatisim atë versionin final të draft-ligjit të ri për zgjedhjet”, thotë Demolli.

Kuvendi i Kosovës, më 7 prill te vitit të kaluar, pati miratuar një rezolutë në bazë të së cilës u themelua komisioni për amandamentimin e Kushtetutës.

Qëllimi kryesor i reformave është që presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kurse për zgjedhjet parlamentare - nga një zonë, të ketë më shumë zona.

Formimi i këtyre komisioneve është rezultat i marrëveshjes Thaçi - Mustafa - Pacolli, me të cilën jo vetëm se ishte tejkaluar problemi i zgjidhjes së presidentit, por ishte arritur edhe pajtimi për disa ndryshime kushtetuese dhe reforma zgjedhore.
XS
SM
MD
LG