Ndërlidhjet

Kurti: Serbia dikton agjendën e brendshme të Kosovës


Albin Kurti (Foto arkiv)
Albin Kurti (Foto arkiv)
Me veprimet e saj, Serbia po dikton agjendën e brendshme politike të Kosovës, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

"Ne kemi nevojë për normalizimin e shtetit të Kosovës. Ne kemi nevojë që pavarësisë t’ia bashkëngjisim sovranitetin. Ne kemi nevojë që shoqërisë t’ia sjellim zhvillimin ekonomik. Nuk kemi nevojë që Kosovës t’ia ndryshojmë emrin e t’ia vëmë në dyshim shtetësinë. Kjo ishte nevojë e Serbisë, të cilën e plotësoi kryeministri aktual i Kosovës", ka thënë Kurti pas prezantimit të raportit tremujor të punës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kurtit, "as Kosova dhe as Serbia nuk janë shtete normale".

"Kosova nuk është shtet normal, sepse është shtet i dobët, me protektorat ndërkombëtar e pa ushtri të veten, me Mitrovicën e ndarë dhe varfërinë më të madhe në Evropë. Por, as Serbia nuk është shtet normal, sepse ajo as nuk distancohet dhe as nuk ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, sepse ajo nuk heq dorë nga strukturat ilegale në Kosovë dhe nga planet antishqiptare të saj", ka thënë kreu i subjektit opozitar.

Duke iu referuar paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, Kurti ka thënë se "Serbia po e dikton edhe agjendën e brendshme politike të Kosovës".

"S’ka mundur të jetë ndryshe me këtë Qeveri. Duke biseduar me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa kushte paraprake për Serbinë, Kosova po përfundon e kushtëzuar nga Serbia dhe disi dalëngadalë po bëhet çështje e brendshme e Serbisë", ka thënë pos tjerash Kurti. (v.t.)
XS
SM
MD
LG