Ndërlidhjet

Kosova si mjet për shpërblime evropiane


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Edhe pse mbetet e paqartë se a do ta jetësojë Serbia planin për mbajtjen e zgjedhjeve të saja lokale edhe në territorin e Kosovë, disa nga njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet rreth kësaj çështjeje dëshmojnë ndërlidhjen e politikën serbe karshi Kosovës, me atë karshi Bashkimit Evropian.

Ata thonë se me moton “Sulmo, tërhiqu dhe fito”, shteti serb e ka shndërruar në mjet manipulimi situatën në Kosovë për të përfituar më pas në avancimin drejt integrimit evropian.

Duke rikujtuar barrikadat rrugore në veri të Mitrovicës, të cilat u patën larguar pak para marrjes së vendimit për statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE, analisti, Shenoll Muharremi, tha se Serbia po vazhdon me gjenerimin e problemeve të paqena më parë dhe se po përdor “taktika të pozicioneve maksimaliste”.

E krejt kjo, sipas tij, ka për qëllim përfitimet evropiane.

Serbia po manipulon BE-në, e cila kur është fjala te Serbia, po tregohet naive dhe nuk po jep shenja që ka mësuar nga gabimet e saja në Ballkan. Serbia nuk ka ndryshuar në esence qasjen e saj karshi Republikës se Kosovës; ajo nuk po i zbaton marrëveshjet dhe po vazhdon më tej të sabotojë zhvillimin e fqinjit të saj Republikës së Kosovës me çdo kapacitet. Kjo nuk është një qasje evropiane, dhe le të provojë, për shembull Franca të bëjë një gjë të tillë në Gjermani dhe do të shihni se çka do të ndodh”, u shpreh ai duke theksuar nevojën për një presion të shtuar politik të Brukselit zyrtar mbi Serbinë-presion ky që për qëllim do të duhej të kishte stabilizimin e situatës në rajon.

Por, analistët serbë thonë se në qasjen dhe veprimet e Serbisë në raport me Kosovën luan rol të rëndësishëm kushtetuta e shtetit, e cila e cilëson Kosovën si pjesë të shtetit serb.

Aleksandër Popov nga Qendra Rajonale në Beograd shpjegoi:

Kjo është një çështje shumë e komplikuar. Kjo është edhe çështje e skenës së brendshme politike në Serbi, pra, sa edhe deri kur mund të bëjë dikush ndonjë gjë duke respektuar preambulën e Kushtetutës, e cila është obligative. Në anën tjetër, shtrohet edhe pyetja sa i kontrollon Serbia disa përfaqësues politik në veri të Kosovës. Personalisht mendoj se referendumi në veri nuk ka gëzuar përkrahjen e Beogradit i cili ka dashur ta shmangë atë për të mos hyrë në konfrontim me BE-në”, vlerësoi Popov

Konfrontimit me BE-në i është shmangur deri më tani edhe Prishtina zyrtare, e cila thuhet se ka bërë lëshime të dhimbshme në kuadër të dialogut për hir të perspektivës evropiane të vendit.

Autoritetet kosovare vazhdojnë ta shohin dialogun Prishtinë-Beograd si çelës edhe për avancimin e tyre në integrimin evropian, ndërsa ankohen për mungesën e vullnetit të Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve që synojnë përmirësimin e raporteve ndërmjet palëve.

Analisti Muharremi e quajti të gabuar edhe qasjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Është naive nga lidershipi të perceptohet që, nëse e bën një kompromis me Serbinë në Bruksel, ti do të shpërblehesh. Kjo nuk qëndron kështu. Procesi i integrimeve është proces meritor dhe, pavarësisht që janë hapur perspektivat, ato duhet të fitohen dhe meritohen”, theksoi ai.

Derisa në kuadër të sfidave dhe kritereve kryesore për avancimin e Serbisë në Bashkimin Evropian është listuar ndër të parët normalizimi i raporteve me Kosovën, për autoritetet kosovare është theksuar domosdoshmëria e luftimit të korrupsionit e krimit të organizuar, reformimin e gjyqësorit dhe të administratës publikë dhe harmonizimi i legjislacionit vendor më atë evropian.
XS
SM
MD
LG