Ndërlidhjet

Siguri dhe paqe e brishtë në rajon


Ilustrim
Ilustrim
Zvarritja dhe neglizhenca e zgjidhjes së problemeve në veriun e Kosovës, apo edhe e raporteve ndëretnike në Maqedoni, mund të kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajon, vlerësojnë analistët e çështjeve të sigurisë.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja thotë se gjendja e sigurisë në Kosovë është skajshmërisht e brishtë me tendenca keqësimi.

Një gjendje e tillë, nënvizon Qehaja, vjen si rrjedhojë e situatës në veri, ku Serbia synon qoftë shkëputjen e saj nga Kosova apo sigurimin e një autonomie territoriale për veriun.

Problemi tani sikur është ndërkombëtarizuar atje (në veri të Kosovës). Për këtë, zhgënjimi dhe zemërimi te popullata shumicë në Kosovë është në rritje e sipër. Marrë në tërësi, duhen veprime për rregullimin e çështjes së veriut ashtu si e parasheh Kushtetuta e jonë, në të kundërtën situata do të jetë shumë e rrezikshme jo vetëm për destabilizim jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni e gjetiu”, thotë Qehaja.

Shtimi i pakënaqësive me zhvillimet politike, gjendja e rëndë sociale dhe papunësia në rritje në Kosovë, janë potencial shtesë për destabilizim, nënvizon Qehaja.

Ndërkaq në raport me Serbinë, ai mendon se marrëveshja e fundit për fusnotën dhe mos zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Beogradit, vetëm sa i shton pakënaqësitë në Kosovë.

Qehaja mendon po ashtu se një rol të madh në rritjen e tensioneve në Kosovë e Maqedoni e ka edhe shërbimi inteligjent i Serbisë.

Kjo inteligjencë serbe duke e shfrytëzuar dominimin që ka në Maqedoni që nga koha e socializmit, bëri që konflikti ndërnacional të merr këto ditë përmasa shqetësuese dhe atë deri në mundësinë e destabilizimin e Maqedonisë dhe rajonit, duke përfshi këtu në veçanti Kosovën. Me një fjalë jemi të ballafaquar me një luftë speciale e cila po zhvillohet në rajon, e posaçërisht ndaj shqiptarëve”, thekson Qehaja.

Përshkallëzimin gradual të gjendjes në Maqedoni që filloi me disa incidente ndëretnike në arenat sportive, pastaj me disa sulme ndaj të rinjve shqiptarë atje, e që u finalizua edhe me një sulm në ambasadën e Maqedonisë në Prishtinë, eksperti tjetër i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi e sheh si tejet serioz.

Ai mendon se në vend të zvarritjes dhe neglizhencës, autoritetet në Shkup, por edhe ato në Prishtinë, bashkë me faktorin ndërkombëtar duhet t’i adresojnë problemet, ngase ato mund të sjellin destabilizim me përmasa rajonale.

Në Maqedoni situata është e rrezikuar seriozisht në aspektin e sigurisë së vendit. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më vigjilente dhe faktori politik shqiptar të jetë më i bashkuar me qëllim që ta adresojë çështjen në kuptimin të asaj se situata mund të eskalojë, ngaqë autoritetet maqedonase po vazhdojnë situatën e cila mund të jetë shumë serioze”, thotë Ibishi.

Qëndrueshmëria e brishtë në rajon mbahet edhe përmes ruajtjes së konfliktit të ngrirë në veri të Kosovës.

Nuredin Ibishi thotë se mos-luftimi i kriminalitetit në veri dhe implikimet e Serbisë në atë pjesë kanë potencial që të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë e më gjerë.

Mos-adresimi i zgjidhjes së problemeve, po krijon hapësirë për ndarje e incidente ndëretnike të cilat mund të përhapen në rajon, marrë parasysh shtrirjen e popujve në Ballkan, thotë ai

Mendoj që këto, faktori ndërkombëtar duhet të jetë i kujdesshëm për arsye se ky konflikt i ngrirë për vite është akumuluar dhe nëse neglizhohet ai mund të shpërthej dhe mund të krijoj probleme edhe më të gjera në kuptim rajonal, jo vetëm në kuptim të një shteti apo brenda një pjese të një lokaliteti”, thekson Ibishi.

Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni, implikimeve të tyre në Kosovë dhe gjendjes në veri, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se për të dyja çështjet ka zgjidhje.

Për çështjen shqiptare në Maqedoni është Marrëveshja e Ohrit, kurse për veriun Dokumenti i Ahtisarit. Çdo shmangie nga këto dokumente rrezikon jo vetëm marrëveshjet, por ka edhe implikime, tërheq vërejtjen Krasniqi.
XS
SM
MD
LG