Ndërlidhjet

VV: Kushtetuesja ka "huqur" çështjen


Visar Ymeri - foto arkiv
Visar Ymeri - foto arkiv
Gjykata Kushtetuese e ka “huqur” tërësisht çështjen, interpretimin e së cilës e ka kërkuar Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ka shprehur hamendje gjatë marrjes së vendimit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e mocionit për reciprocitet me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, më 20 janar të këtij viti, thanë përfaqësues të kësaj lëvizjeje.

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje, gjë për të cilën, Visar Ymeri, nga kjo lëvizje, tha se “gjykata ka dështuar të përmbushë detyrën e saj si instancë më e lartë juridike e vendit”.

Në një takim me gazetarët në Prishtinë, Ymeri nuk përjashtoi “mundësinë e ndërhyrjes politike që thuhet se mund ta ketë ndikuar këtë institucion në dhënien e përgjigjes për këtë çështje”.

“Gjykata Kushtetuese këtu po tregon qartë që vendimin nuk e ka sjellë duke u bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe në ndonjë racionalitet juridik. Pra, këtu mund të jenë dy gjëra për mendimin tim, sepse nuk është spektër i gjerë, që e kanë ndikuar Gjykatën Kushtetuese: ose është njëra, pra mosdija dhe mungesa e profesionalizimit e Gjykatës Kushtetuese, që e ka shprehur në disa pika, ose është ndonjë intervenim nga jashtë, ndonjë ndikim politik që e bën vendimin e Gjykatës Kushtetuese dështim moral - dështim etik”, tha Ymeri.

Mocioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20 janar përmban 4 pika.

1. Kuvendi i Kosovës mirëpret marrëveshjet e arritura në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë përmes dialogut dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm;

2. Qeveria e Kosovës, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të vendosë për masat përkatëse reciproke për mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe implementimin e konkluzioneve të arritura;

3. Qeveria obligohet t’i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit;

4. Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij dhe shfuqizon të gjitha vendimet e Kuvendit në lidhje me këtë çështje.

Në një komunikatë për opinion, në të cilën Vetëvendosje pati botuar një pjesë të kërkesës, kjo parti, mes tjerash, pati thënë se “Kuvendi i Kosovës, në pikën e parë të vendimit të kontestuar, ka mirëpritur arritjen dhe ka mbështetur zbatimin e tërësishëm të këtyre marrëveshjeve”.

Duke cituar dispozitat e nenit 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, VV kishte pohuar se mënyra e miratimit të mocionit më 20 janar "është në kundërshtim me të gjitha dispozitat e këtij neni”.

Të hënën, më 19 mars, 53 ditë pas marrjes së kërkesës, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se njëzëri ka vendosur që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme.

Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës.
XS
SM
MD
LG