Ndërlidhjet

UNMIK-u nuk do t'i organizojë zgjedhjet serbe

  • RFE /RL

Mitrovicë (Foto arkiv)

Mitrovicë (Foto arkiv)

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, i është përgjigjur të enjten Beogradit se për shkak të rrethanave në terren, UNMIK-u nuk mund t'i organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e UNMIK-ut, Tanja Kastël.

Qeveria e Serbisë, përmes një letre të dërguar më 21 mars nga ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, drejtuar Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm, Farid Zarif, zyrtarisht i ka kërkuar UNMIK-ut që në përputhje me rezolutën 12 44 t’i organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.

Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, ka përsëritur në letrën e tij përkushtimin e UNMIK-ut për promovimin e plotë të qeverisjes lokale demokratike në Kosovë.

Ndryshe, Serbia ka shpallur zgjedhjet parlamentare dhe lokale më 6 maj.

Autoritetet e atjeshme kanë thënë se zgjedhjet lokale do të mbahen pjesërisht edhe në disa komuna të Kosovës, hap ky që është kritikuar si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë.(a.z.)

Zgjedhjet serbe cenojnë sovranitetin

Bekim Bislimi

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale, është e papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me parimet dhe ligjet ndërkombëtare, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese në Kosovë.

Ata i quajnë jo konstruktive dhe tejet të dëmshme deklaratat e fundit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Ky i fundit, ka thënë se zgjedhjet lokale serbe në Kosovë janë krejtësisht të papranueshme, por ato parlamentare, sipas tij, mund të mbahen nën organizimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke pasur parasysh që në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.

Por, Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike - kushtetuese, vlerëson se lejimi eventual i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, ashtu siç thotë në deklaratën e tij Zhbogar, është krejtësisht në kundërshtim me principet evropiane, por edhe të drejtën ndërkombëtare.

Nuk ka bazë. Në shtetin e huaj, kjo është e paprecedentë. Nuk njihet ndonjë rast nga e drejta ndërkombëtare publike, që organizon një shtet zgjedhje në shtetin tjetër. Ata që e kanë dyshtetësinë, kanë pretendime dhe aspirata për të realizuar këtë të drejtë, mund të shkojnë në shtetin tjetër. Do të thotë, serbët le të shkojnë në Serbi dhe lë të votojnë atje, ne qoftë se e kanë dyshtetësinë. Por, jo në Kosovë dhe jo që të organizohen dhe mbahen këtu”, shprehet Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Me mendimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, nuk pajtohet as eksperti tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Ai e quan të papranueshme mbajtjen e çfarëdo zgjedhjeve nga ana e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Duhet t’i thuhet Zhbogar-it që ka ligje të shtetësisë, të cilat lejojnë edhe shtetësinë e shumëfishtë, por në asnjë mënyrë nuk lejohet në asnjë shtet, që të mbahen zgjedhjet e një shteti të huaj në një shtet tjetër sovran. Kjo askund në botë nuk lejohet. Është, po ashtu, për keqardhje dhe e papranueshme që OSBE-ja t’i organizojë ato, që tashmë ka status të tij dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës – një organizatë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të autorizohet që të maje zgjedhje, të cilat janë jo legjitime”, thotë Baraliu.

Mbështetja e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nga kushdo qoftë, thotë Baraliu, paraqet cenim të sovranitetit të vendit dhe, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë.

Kjo paraqet cenim të sovranitetit, paraqet përkëdhelje të Serbisë, përkrahje të saj në mënyrë të pashembullt, si dhe nënçmim dhe thjeshtë anashkalim të interesave të Kosovës dhe perspektivës dhe përcaktimit të saj evropian. Reagimi duhet të jetë i vendosur nga ana e institucioneve të Kosovës dhe jo vetëm ato, por duhet të kenë përkrahjen edhe nga shoqëria civile dhe prania ndërkombëtare në Kosovë, që të mos pranohet në asnjë mënyrë mbajtja e këtyre zgjedhjeve”, thekson ai.

Edhe Smaka, vlerëson se institucionet duhet të reagojnë në mënyrë të vendosur përballë organizimit eventual të çfarëdo zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Ishte dashur që të veprojnë si institucione në kuptimin e mirëfilltë shtetëror. Këto (zgjedhjet serbe) do të duhej që ekzekutivi të mos i lejojë. Absolutisht të mos i lejojë, sepse ato janë shkelje e sovranitetit, rendit, rregullit dhe rendit kushtetues”.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se zgjedhjet serbe në Kosovë do të trajtohen si ilegale.

Ndërkaq, Kuvendit i Kosovës, përmes një rezolute, e ka obliguar ekzekutivin e vendit që të mos e lejojë fare mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG