Ndërlidhjet

VV: Këshilli për Integrime, i panevojshëm


Ilustrim me flamurin e Bashkimit Evropian
Ilustrim me flamurin e Bashkimit Evropian
Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar të panevojshëm themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, duke konsideruar se Kosovës nuk i kanë munguar këshillat e rekomandimet e mira që tash të ketë edhe një organ këshillëdhënës.

“Kosovës i kanë munguar vendimet e drejta dhe të duhura të Qeverisë së Kosovës. Në Republikën e Kosovës ka: Ministri për Integrim Evropian, Komision Parlamentar për Integrim Evropian, Komision Ndërministror për Integrim Evropian, zyra për integrim evropian në secilën ministri dhe zyrtarë për integrim evropian në secilën komunë të Kosovës. Pra, nuk ka mungesë organesh a komisionesh, por ka mungesë vullneti, meqë ka tepri qeveritarësh që kanë privatizuar shumëçka dhe kanë personalizuar gjithçka”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Ky subjekt opozitar po ashtu bën të ditur se nuk do jetë pjesë e kësaj iniciative dhe këtij këshilli.

“Konsiderojmë se konsensusi kombëtar për integrim evropian ekziston. Madje, mund të themi se kemi konsensus për integrimin evropian si për asgjë tjetër. Nuk ka nevojë të krijojmë organe të reja për të ndërtuar diçka që tashmë e kemi. Ajo që mungon në Kosovë, është vullneti qeveritar për të çuar përpara reformën për integrim, ngase pjesë e reformës janë vetë personazhet e kësaj Qeverie që përbëjnë pengesën kryesore në reformë”, thuhet në kumtesë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të martën ka themeluar Këshillin Kombëtar për Integrime Evropiane.
XS
SM
MD
LG