Ndërlidhjet

Dell: Korrupsioni bën kërdinë


Ambasadori amerikan Kristofer Dell

Ambasadori amerikan Kristofer Dell

“Prej pavarësisë e këtej, disa probleme janë përkeqësuar e jo përmirësuar. Korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë një prej kërcënimeve kryesore me të cilat përballet shoqëria kosovare sot”, ka thënë në Prishtinë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell.

Në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Institutit Gjyqësor të Kosovës për gjyqtarë dhe prokurorë, ambasadori amerikan ka kritikuar ashpër posaçërisht udhëheqësit politikë.

“Problemi më i madh qëndron se zyrtarët e korruptuar nuk duan të gjenden faktet", ka thënë ambasadori amerikan, për të shtuar se “janë udhëheqësit politikë ata që janë në pozitën më të mirë për ta luftuar korrupsionin”.

Çka është edhe më e rëndësishme, zyrtarët kosovarë dhe partitë politike janë aq shumë të ngatërruar në këtë dukuri sa që është e pamundshme gjendja të korigjohet pa përpjekjet e tyre pozitive; jo vetëm të bashkëpunojnë, por të punojnë shumë për ta kthyer rrjedhën në anën tjetër”, ka thënë ambasadori amerikan.
Asnjë afarist i arsyeshëm nuk do të dëshironte të investojë në një vend ku korrpusioni bën kërdinë.
Duke folur për ndikimin që lufta kundër korrupsionit ka në përmirësimin e situatës së përgjithshme ekonomike, zoti Dell ka thënë se në gjendjen aktuale, një investitor i huaj, "do të duhej shpejt të kuptojë rregullin e pathënë: t’i blejë kundërshtarët".

"Korrupsioni është bërë praktikë me të cilën shumë njerëz bashkëjetojnë për të ndihmuar bizneset e tyre, është bërë bazë e pathënë për shumë transaksione afariste", ka thënë ambasadori amerikan.

Korrupsioni është përhapur aq shumë dhe është bërë kaq i zakonshëm në çdo nivel këtu sa që e tërë shoqëria e nënkupton gjuhën e tij. Kështu ajo mund të mbetet e pathënë dhe siç e thashë, të korruptuarit parapëlqejnë të qëndrojnë në hije”, ka thënë Kristofer Dell, për të shtuar se “asnjë afarist i arsyeshëm nuk do të dëshironte të investojë në një vend ku korrpusioni bën kërdinë”.

Ambasadori amerikan ka thënë se janë udhëheqësit e partive politike dhe zyrtarët qeveritarë ata që duhet të jenë në ballë të përpjekjeve për të eliminuar korrupsionin dhe se "të gjithë anëtarët e partive politike bëjnë me gisht nga njëri-tjetri, duke thënë se ata janë të korruptuarit".
Më lejoni të jem i qartë: nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim.
Por, disa prej tyre që bëjnë me gisht janë po aq të gatshëm të mbushin kutitë e votimit, t’ua gjejnë anëtarëve të familjeve të tyre ndonjë vend të mirë pune në qeveri dhe t’ua mundësojnë miqve të tyre marrjen e kontratave të levërdishme afariste kur kjo gjë është në interesin e tyre. Më lejoni të jem i qartë: nuk po përjashtoj asnjë parti nga ky pohim”, ka thënë ambasadori Dell.

Duke kërkuar edhe nga qytetarët e Kosovës që të kërkojnë më shumë nga të zgjedhurit e tyre, ambasadori amerikan ka kritikuar ashpër edhe mediat në Kosovë, për të cilat tha se shpesh nguten aq shumë për të akuzuar të tjerët për korrupsion, ndonëse edhe ato duhet t’ia bëjnë vetes një analizë për punën që bëjnë.

Ne të gjithë kemi dëgjuar për raste kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj, të cilët promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në ndjekje të agjendave të tyre private. Për më tepër, gazetat dhe mediet e tjera shpesh janë pronë e individëve që kanë interesa të fuqishme politike personale dhe përdorin mjetet e tyre të shtypit për të shpërndarë çfarë ngjarjeje sensacionale që do ta çojë përpara kauzën e tyre e jo të vërtetën”, ka thënë ambasadori Dell.
Ne të gjithë kemi dëgjuar për raste kur gazetarët janë paguar për të botuar artikuj, të cilët promovojnë ose sulmojnë individë apo institucione në ndjekje të agjendave të tyre private.
Duke vlerësuar se mediat në Kosovë duhet të jenë të pastra si loti pa asnjë fije dyshimi, zoti Dell ka thënë se derisa të mos ndodhë kjo, mediat kosovare nuk mund të jenë partnerë të besueshëm në përpjekjet kundër korrupsionit, sepse mundësia e tyre për të qenë pjesë e zgjidhjes dobësohet kur të gjithë e dinë se, siç tha ambasadori, ato janë pjesë e problemit.

Kosova nuk e ka mbështetur sa duhet Agjencinë e saj kundër korrupsionit, e cila nuk ka burime të mjaftueshme dhe nuk ka mandat mjaft të gjerë për të shërbyer me efikasitet, ka thënë ambasadori amerikan, duke kritikuar edhe ata që nxitën dyshimet e tyre mbi planet e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për të krijuar një këshill ndërministror për të adresuar çështjen e korrupsionit.

Në vend se të kuptojnë mundësinë që të bëjnë atë që duhet dhe të mundësojnë ndryshimin, ata e qortuan duke thënë se ka vepruar përtej kompetencave të saj. Por, ne dhe shumë të tjerë i përkrahim përpjekjet e Presidentes për të rritur kuptimin e natyrës dhe shtrirjes së korrupsionit, si dhe për përmirësimin e transparencës”, ka thënë zoti Dell.

Duke folur për çmimin që Kosova sot i paguan korrupsionit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, midis tjerash, tha se “demokracia minohet kur bateritë e lira kineze bëjnë që llambat të mos ndriçojnë natën e zgjedhjeve”.

Duke folur për të mirat e një shoqërie pa korrupsion ndërkaq, zoti Dell tha se ato janë të shumta.

Të ardhurat shtetërore do të investoheshin në projekte dhe shërbime nga të cilat do të përfitonin të gjithë kosovarët e jo që të kanalizohen për të mbushur xhepat e politikanëve”, tha ambasadori amerikan.


*Fjalimin integral të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, mund ta lexoni këtu

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG