Ndërlidhjet

Kosova e gatshme për Olimpiadë


Ilustrim
Ilustrim
Drejtuesit e sportit në Kosovë shprehin falënderimin dhe respektin për miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian, i cili ka kërkuar nga Komiteti ndërkombëtar Olimpik që t’i pranojë sportistë kosovarë në lojërat olimpike që këtë vit mbahen në Londër.

Besim Hasani, drejtues i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se kjo rezolutë, ndonëse nuk ka efekt obligues, megjithatë ajo e krijon një atmosferë më të mirë për vendim-marrësit, ndërkaq, që pjesëmarrja e sportistëve kosovarë nuk do t’i zhgënjente ata dhe as adhuruesit e sportit.

Sipas tij, Kosova tashmë ka potenciale për disiplina të caktuara olimpike, me të cilat do të mund të përfaqësohej denjësisht në lojëra olimpike, nëse një gjë e tillë do të bëhej e mundur.

“Ajo që unë mund të them, është se sportistët e Kosovës janë të përgatitur për lojëra olimpike dhe kanë çka t’i japin botës. Ne nuk kërkojmë vetëm ndihmë dhe mbështetje nga ta, por konsideroj se edhe sportistët e Kosovës dhe drejtuesit e sportit kanë çka t’u japin dashamirëve të sportit, kanë çka t’i japin Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe gjithë organizmave tjerë ndërkombëtarë. Kosova është e përgatitur për paraqitje dinjitoze në lojërat olimpike ‘Londra 2012’”, thotë Hasani.

Hasani, gjithashtu, tregon se janë një numër sportistësh kosovarë që kanë arritur normat olimpike, madje disa edhe i kanë tejkaluar, ashtu siç edhe është rasti me Majlinda Kelmendin, në sportin e mundjes. Sipas tij, potenciale ka edhe në sportin e qitjes, në shigjetari, në boks, atletikë dhe në mjaft disiplina të tjera të sporteve olimpike.

Zyrtarët e institucioneve qeveritare për sportin vlerësojnë se tashmë kanë shtuar angazhimet për mbështetjen e sportistëve kosovarë, duke theksuar se ata kanë kapacitete për të garuar në lojëra olimpike. Malsor Gjonbalaj, këshilltar i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, potencon besimin që kanë institucionet në sportistët e vendit, nëse atyre u mundësohet pjesëmarrja në Olimpiadën që sivjet mbahet në Londër.

“Unë mendoj se kosovarët janë të gatshëm të marrin pjesë. Me vetë faktin se kemi sportistë që kanë arritur normën olimpike, ne tregojmë dhe japim sinjal të qartë se kemi potencial dhe jemi të gatshëm në çfarëdo forme që të marrim pjesë. Jo vetëm në lojërat olimpike, mirëpo, padrejtësi e madhe është izolimi i sportit kosovar që bëhet prej vitesh”.

“Fakti që Majlinda Kelmendi (sportiste e mundjes) ka arritur normën olimpike, duhet të jetë një sinjal shumë i qartë për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe gjithë komunitetin ndërkombëtarë, që Kosova i plotëson kushtet”
, shprehet Gjonbalaj.

Ndryshe, Komiteti Olimpik i Kosovës, por edhe Ministria përgjegjëse për Sportin, tashmë janë duke bërë të gjitha përpjekjet që të depërtojnë në mekanizmat vendim-marrës ndërkombëtar të sportit, që sporti kosovar të zhbllokohet nga izolimi, i cili është duke iu bërë, për siç është thënë, arsye politike. Këtë e sqaron edhe Besim Hasani, i cili thotë se takimin e fundit me drejtuesit e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, e ka pasur më 20 mars të këtij viti.

“Kemi biseduar gjerë e gjatë lidhur me aspiratat e drejtuesve të sportit, por edhe të sportistëve, që të jenë prezent në lojërat olimpike, duke u pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Por, sipas Kartës Olimpike, këtu janë disa vështirësi, sepse ndërlidhen edhe politikisht, do të thotë, pavarësinë e shtetit tonë dhe njohjet nga komuniteti ndërkombëtar. Ata konsiderojnë se nuk është e mjaftueshme njohja nga 89 shtete. Presin që së paku njohjet të kalojnë gjysmën e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, sqaron Hasani.

Ndërkaq, Gjonbalaj thotë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është angazhuar që të mbështesë dhe forcojë federatat e sportit në Kosovë, në mënyrë që të arrihet cilësia e kërkuar për gara në arenën ndërkombëtare të sporteve. Megjithatë, ai thekson se thyerja e izolimit, siç e quan ai, të padrejtë ndërkombëtar ndaj sporteve të Kosovës, është në krye të prioriteteve që ka kjo ministri.

“Institucionet po zhvillojnë biseda serioze në këtë drejtim. Pikërisht, duke e ditur seriozitetin e çështjes, vetë ministri Krasniqi është ai, i cili është duke e bartur flamurin e ndërkombëtarizimit dhe është duke u munduar, me çdo kusht, që kjo barrierë të thyhet. Politika është, dhe në njëfarë forme, edhe duhet të jetë, e distancuar nga sporti. Megjithatë, për shkak të arsyeve dhe rrethanave politike, neve padrejtësisht po na mohohet kjo e drejtë, që të jemi pjesëmarrës në çdo aktivitet ndërkombëtar, e aq më tepër në lojërat olimpike, gjë që është synim i çdo shteti, çdo sportisti, e kështu me radhë”, thekson Gjonbalaj.

Sidoqoftë, pjesëmarrja eventuale e sportistëve kosovarë në lojërat e sivjetme olimpike në Londër, do të shënonte thyerjen e izolimit shumëvjeçar që u është bërë sportistëve kosovarë, që ta prezantojnë Kosovën në arenat ndërkombëtare të sportit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG