Ndërlidhjet

WP: Lufta e Bosnjës, mësim për Sirinë


Hillari Klinton në takimin "Miqtë e Sirisë"...
Hillari Klinton në takimin "Miqtë e Sirisë"...
" Washington Post "


Po i afrohemi një përvjetori melankolik. Më 5 prill të vitit 1992, Suada Dilberoviq dhe Olga Suçiq u qëlluan për vdekje. Ato po merrnin pjesë në një tubim paqësor në Sarajevë, kur snajperët serbë hapën zjarr. Dy gratë ishin të parat nga më shumë se 100 mijë njerëzit që do të vriteshin në vitet e ardhshme. Lufta e Bosnjës kishte filluar.

Por, po ashtu është një përvjetor nga i cili mund të nxirren mësime. Shumë nga ajo që e ka karakterizuar luftën e Bosnjës, duke përfshirë barbarizmin e shëmtuar, po ndodhin në Siri. Sërish, po shohim një thertore sektare. Sërish, po ballafaqohemi me kujtime udhëtimesh të njerëzve, feve, sekteve, fiseve e klaneve.

Sërish, po paralajmërohemi për sfidat frikësuese të topografisë- shkretëtirës siriane, maleve siriane, qyteteve siriane. Sërish, po na thuhet se armatosja e opozitës mund të rrisë numrin e vrasjeve.

Të gjitha këto argumente janë bërë edhe për Bosnjën. Libri “Fantazmat e Ballkanit” është botuar në vitin 1993. Ka qenë një libër i mirë, i lexuar nga Bill Klintoni, në atë kohë, president. Autori Robert Kaplan i hoqi shtresë pas shtrese nacionalizmat dhe fetë - e gadishullit ballkanik të banuar nga grupet e ndryshme etnike, që njiheshin vetëm nga koleksionistët e pullave postare.

Ishte një përzierje religjioze - katolikë, ortodoksë, myslimanë dhe hebrenj që jetonin në një harmoni frikësuese.

Kaplan e portretizoi këtë si një vend të thellë ekzotik, misterioz, të grindjeve gjakatare dhe politikës së pakuptueshme. Mesazhi i librit ishte i pagabueshëm: Qëndroni jashtë.

Klinton e bëri. Mendoj se kishte të drejtë. Unë e kam vizituar rajonin. Ishte një vend frikësues me urrejtje të furishme dhe terren të vështirë-malor. Një dru i rrëzuar mund ta ndalonte një regjiment. Moti - i ftohtë dhe me borë në lartësitë mbidetare, i ngrohtë dhe me mjegull në lugina- mund të pengonte bombardimin.

Kam menduar se Bosnja nuk kishte vend për ndërhyrjen e Amerikës apo NATO-s.
Klinton, përfundimisht, ndryshoi kursin dhe NATO bombardoi. Dhe, funksionoi: vrasjet u ndaluan.

Tash, “Miqtë e Sirisë” po vijnë dalëngadalë në përfundimin se duhet bërë më shumë për t’iu ndihmuar kryengritësve. Ky koalicion i krijuar për shkak se Kina dhe Rusia penguan çfarëdo lloj veprimi të OKB-së, tash thotë se do t’i ofrojë opozitës siriane fonde dhe pajisje komunikimi.

Ky është një hap - hap i vogël, që ndodh në drejtimin e duhur, por aktualisht armët nuk do të dërgohen.

Edhe më tej, kjo zvarritje drejt ndërhyrjes, i jep qeverisë siriane shansin e minutës së fundit për armëpushim. Edhe ky, ka qenë precedent i Bosnjës - shumë premtime, pak realizime.

Kryengritja sirianë, në të vërtetë aktualisht, është një luftë civile. Më shumë se 9 mijë njerëz janë vrarë, shumë nga ta civilë.

Për presidentin Bashar al-Asad, nuk ka kthim prapa. Ai kurrë nuk do të pajtohej me ndonjë plan për dorëzimin e pushtetit, sepse kjo do të nënkuptonte vdekjen e tij. (Ai megjithatë mund të ikë nga vendi, dhe Perëndimi të përmbahet nga ndjekja e tij për krime lufte). Bastet vetëm sa do rriten. Dhe, më shumë vrasje do të ndodhin.

Miqtë e Sirisë brengosen. Në takimin e tyre në Stamboll, sekretarja e shtetit, Hillari Klinton, vërejti se Asadi nuk e ka përmbushur premtimin në marrëveshje me Ananin, për t’i ndalur luftimet.

“Bota duhet ta gjykojë Asadin nga ajo çka bën dhe jo nga ajo çka thotë”, tha Klinton.

Po, në të vërtetë. Dhe, ajo që ai bën është vrasja e bashkëkombësve të tij sirianë.

Hillari Klinton është personi i fundit në botë, të cilit duhet kujtuar mësimet nga Bosnja. Ajo ishte aty në Shtëpinë e Bardhë, kur burri i saj autorizoi bombardimet për t’i dhënë fund luftës. Ajo po dëgjon argumentet e njëjta kundër armatosjes së kryengritësve, kundër bombardimit të trupave qeveritare siriane. Ajo, po ashtu, po dëgjon kujdesin e tepruar të njëjtë - paralajmërimet e ekspertëve për shiitët, sunitët dhe alavitët dhe se si ende askush nuk e di se kush udhëheq opozitën.

Është një rrëmujë. Dhe, gjithnjë do të jetë. U takon Shteteve të Bashkuara që të themelojë një lidership.

Duhet art për këtë, dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, di si ta bëjë. Po ashtu, është një lëvizje e pashmangshme në këto lufta dhe Bosnja e ka treguar rrugën. Lufta siriane do të përkeqësohet. Shumë njerëz do të vriten, dhe përfundimisht, SHBA-ja duhet t’ia tregojë Turqisë dhe Arabisë Saudite mënyrën se si bëhen këto gjëra.

Ura ku Dilberoviq dhe Olga Suçiq ishin vrarë, ka marrë emrin e tyre. Ndoshta do të ketë ndonjë ceremoni. Miqtë e Sirisë duhet të marrin pjesë. Nga atje mund të nxjerrin mësime.(a.i.)
XS
SM
MD
LG