Ndërlidhjet

Rrugëtimi i përbashkët


 Kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, dhe homologu i saj maqedonas, Trajko Veljanovski.
Kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, dhe homologu i saj maqedonas, Trajko Veljanovski.

Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë pasur projekt më të lumtur se sa anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe bashkërisht duke ndërtuar besimin ndërnjerëzor, si dhe duhet të punohet në interes të qytetarëve, tha kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, pas takimit me homologun e saj maqedonas, Trajko Veljanoski .

"Lidhjet tona historike, kulturore, shoqërore, të projekteve tona të përbashkëta, janë diçka që na detyrojnë të përcaktojmë destinimin tonë për të ardhmen. Bashkë me kolegun, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, i biseduam dy shtyllat kryesore të dy vendeve tona, që është NATO dhe Bashkimi Evropian”.

“Unë i uroj me zemër suksese të tjera Republikës së Maqedonisë! Uroj që në Samitin e Çikagos të ketë sinjale të tjera pozitive. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Dhe, në fakt do të doja t’i përsërisja fjalët e kryeministrit shqiptar në lidhje me këtë temë, i cili thotë se realisht Maqedonia për nga angazhimi, për nga puna për nga standardet, është anëtare e NATO-s, por formalisht ende jo. Dhe, ne urojmë që të jetë një ditë e më përpara në NATO”, deklaroi Topalli.

Ndërkohë, duke komentuar incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni, kryeparlamentarja Topalli theksoi se dhuna është e papranueshme duke shprehur besimin në reagimin e shpejtë të institucioneve shtetërore të Maqedonisë.

"Dua të theksoj se në besimet e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, në besimin tim, në besimin e të gjitha grupeve parlamentare, dhuna është e papranueshme. Dhuna është koncepti i atij që e ka gjithmonë gabim. Por, reagimi i shpejtë i institucioneve dhe ndëshkimi i këtyre rasteve është përgjigje evropiane, është përgjigje që kërkohet dhe vlerësojmë se ajo realizohet.”, theksoi Topalli.

Ndërkaq, nikoqiri i saj , kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, tha se Maqedonia në Shqipërinë sheh një mbështetës të fuqishëm për aspiratat në NATO, ndërsa të dyja vendet fqinje mes vete duhet të bashkëpunojnë, të ndihmojnë njëra-tjetrën që sa më parë të bëhen pjesë e familjes evropiane.

"Ne në Shqipërinë shohim edhe një mik në NATO dhe çdo herë nga Shqipëria e kemi mbështetjen për anëtarësimin tonë në NATO. Kemi një rrugë të përbashkët dhe ky është integrimi ynë në familjen evropiane. Shpresojmë dhe jemi të bindur se do të vijë shumë shpejtë koha kur bashkë do të jemi anëtare të familjes evropiane. Ardhmëria edhe e Maqedonisë edhe e Shqipërisë është në familjen evropiane”, tha Veljanovski.

Kreu i Parlamentit të Shqipërisë, Topalli, pas takimit me Veljanovskin mbajti fjalim para deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.

Zonja Topalli me këtë rast tha se "gjeopolitika e rajonit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtet formuese".

“ Më i fundit prej tyre është , shteti i ri i Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë ka shënuar një progres të dukshëm dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht. Rajoni ka ndryshuar, Nuk ka më gjenocide, nuk ka më mizori, nuk ka më luftë. E kaluara ka mësuar se çdo rast dhune, ndaj kujtdo që bëhet është vetëm për t`u dënuar”, u shpreh Topalli, e cila më pas theksoi se shqiptarët në Maqedoni janë lidhja më e veçantë, që paraqet një urë të fortë dhe shumë të rëndësishme

“Ishte pikërisht këtu kur në Shkup 1844, 10 mijë kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës , çliruan Shkupin nga perandoria osmane dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, manastiri dhe Dibra u bënë qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar”, potencoi gjatë fjalimit të saj para deputetëve të parlamentit të Maqedonisë, Jozefina Topalli.

Ndryshe, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj dy ditore në Maqedoni, pasi vizitoi sheshin “Skënderbeu”, Çarshinë e Vjetër dhe Komunën e Çairit, nga kryetari i Komunës, Izet Mexhiti, në një ceremoni të posaçme u shpall si Qytetare Nderi e komunës së Çairit.

Ndërkohë, që ka realizuar takime dhe me krerët e partive kryesore politike shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, Ali Ahmeti, gjegjësisht Menduh Thaçi. Ndërsa, pasdite do të takohet edhe me presidentin e shtetit, Gjorgje Ivanov.
XS
SM
MD
LG