Ndërlidhjet

Gjasat e vogla për samitin e Çikagos


Ilustrim
Ilustrim
Kongresistët amerikan kanë bërë të ditur se Maqedonia, pavarësisht mbështetjes amerikane, e ka të pamundur të marrë ftesë në samitin e radhës të NATO-s, në Çikago, pa zgjidhur paraprakisht kontestin për çështjen e emrit me Greqinë.

Kongresisti amerikan, Dejvid Drajër, i cili është një nga 54 kongresistët që para disa ditësh, përmes një letre drejtuar presidentit Barak Obama, kërkuan anëtarësimin e Maqedonisë në samitin e Çikagos, ka thënë se megjithatë shanset janë shumë të vogla që kjo të ndodhë në këtë samit të Aleancës. Madje, Drajër tha se për këtë është i vetëdijshëm edhe vetë kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski.

“Të gjithë ne, anëtarët e delegacionit të Kongresit amerikan, mbështesim atë, që ta shohim Maqedoninë si anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por, siç theksoi dje kryeministri i Maqedonisë, gjasat janë shumë të vogla që Maqedonia të marrë ftesë në samitin e Çikagos, megjithatë ne i mbështesim përpjekjet e vendit tuaj, ngase mbështesim idenë e anëtarësimit të vendit në aleancë”, ka deklaruar Drajër.

Delegacioni i pesë kongresistëve amerikanë, Dejvid Drajer, Dejvid Prajs, Xhim MekDermot, Erik Paullesn dhe Geri Konoli, gjatë vizitës zyrtare disaditëshe në Shkup, kanë zhvilluar takime me krerët shtetërorë.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nga kongresistët ka kërkuar që konkluzioni i samitit të Bukureshtit të rishqyrtohet në Çikago, me ç’rast është theksuar se “letra në të cilën 54 anëtarët e Kongresit e dërguan deri te presidenti amerikan, Barak Obama, është vetëm konfirmim i miqësisë midis dy vendeve dhe akt, të cilin qytetarët e Republikës së Maqedonisë e vlerësojnë lart”.

Delegacioni i Kongresit i SHBA-së është pritur edhe nga kryeministri Nikolla Gruevski, me ç’rast ky i fundit, siç njoftohet nga kabineti i tij, i ka njoftuar kongresistët, se Maqedonia me përkushtim vazhdon përpjekjet për të zgjidhur çështjen e emrit.

Delegacioni pesë anëtarësh i kongresistëve amerikanë, të premten, është takuar edhe me kryeparlamentarin e Maqedonisë, Trajko Veljanovski, dhe grupet parlamentare, me ç’ka kanë fokusuar rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve të institucioneve të Maqedonisë si vend që synon integrimet në aleancën Veri-atlantike.
XS
SM
MD
LG