Ndërlidhjet

Indi, Pakistan: Liderët patën bisedime miqësore


Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari dhe kryeministri i Indisë, Manmohan Signh.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari dhe kryeministri i Indisë, Manmohan Signh.
Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, dhe kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, janë pajtuar në bisedimet e djeshme, se të dy vendet fqinje duhet ta përdorin qasjen hap pas hapi për t’i zgjidhur mospajtimet e tyre.

Të dy liderët thanë se takimi i tyre ishte miqësor dhe konstruktiv.

Kryeministri Singh tha se e ka pranuar ftesën e Zardarit për ta vizituar Pakistanin.

Presidenti pakistanez kishte arrdhur në Indi në një vizitë jozyrtare. Megjithatë, kjo ishte vizita e parë e shefit të shtetit të Pakistanit në Indi në shtatë vitet e fundit.

Megjithqë zyrtarët e kanë përshkruar turneun e Zardarit si vizitë “private”, ajo i ka shtuar shpresat për ndonjë kthesë eventuale në raportet e tensionuara ndërmjet dy vendeve.


Pakistan, Indi: Vizitë private, por me domethënie


Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, e ka filluar të dielën një vizitë jozyrtare në Indi, që përfshin edhe një drekë pune me kryeministrin e Indisë, Manmohan Signh.

Zyrtarët pakistanezë dhe të Indisë, këtë vizitë e përshkruajnë si “private” dhe një mundësi për zotin Zardari që të vizitojë një tempull të rëndësishëm mysliman në Ajmer.

Megjithëkëtë, udhëtimi i tij në Indi, i pari i nivelit të tillë prej vitit 2005, i ka shtuar shpresat për një kthesë në raportet e tensionuara ndërmjet dy vendeve me armatim atomik.

Gazetari i Indisë, Prem Shankar Xhha, mendon se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë përmirësuar gradualisht, prejse bisedimet e paqes ishin shkatërruar, pas sulmeve terroriste në Mumbai në vitin 2008, me ç’rast ishin vrarë afro 200 njerëz.

Vizitën e presidentit Asif Ali Zardari ai e sheh si një hap tjetër kah normalizimi eventual i raporteve.

“Mendoj se gjërat po lëvizin në drejtim të tillë që Pakistani dhe India aktualisht po lëvizin me të shpejtë kah normalizimi i marrëdhënieve. Prandaj, qëllimi i vizitës është ta përgatisë terrenin dhe eventualisht mund të ketë vizitë nga Manmohan Singh në Islamabad, që synon vendosjen e një vule formale në marrëdhëniet që do të paraqiten”, thotë gazetari Xhha.

Tarun Vixhej, zëdhënës i opozitës kryesore në Indi, Partisë Xhanata, nuk sheh shumë në vizitën e presidentit pakistanez në Nju Delhi.

“Ne nuk duhet të kemi asnjë pritje, e asnjë zhgënjim, pas kjo është vizitë personale e tij. Ai erdhi për lutje religjioze dhe pozita e tij në Pakistan nuk është e mirë. Ai është, po ashtu, i involvuar në shumë çështje dhe probleme dhe për t’u liruar nga këto probleme, ai e viziton Indinë”, shprehet Vixhej.

Ai thekson se India duhet ta “mirëpres zyrtarisht” Zardarin si “president i vendit fqinj”.

India dhe Pakistani po punojnë për intensifikim të lidhjeve ekonomike. Zoti Zardari, aktualisht, e ka mbështetur tërheqjen e kufizimeve tregtare ndaj Indisë, ndërsa në Pakistan, po ashtu, po diskutohet për largimin e një liste kufizuese se cilat prodhime mund të blihen në Indi.

Por, tensionet ndërmjet dy vendeve mbeten për çështjet e ndjeshme, siç janë kontesti për rajonin e Kashmirit dhe aktiviteti i militantëve pakistanezë kundër Indisë.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 10 milionë dollarë për personin Hafiz Mohamed Said, themelues i grupit militant, Lashkar-e Taiba, me seli në Pakistan, të cilin India e fajëson për sulmet terroriste në Mumbai në vitin 2008.

Por, thirrjet nga India për dorëzimin e Saidit përsëri janë refuzuar nga Pakistani, që ka kërkuar të shohë dëshmi për akuzat kundër tij.

Vëzhguesit janë pesimistë për ndonjë progres eventual në këto çështje gjatë vizitës së presidentit pakistanez, Asif Ali Zardari. (f. b.)
XS
SM
MD
LG