Ndërlidhjet

Thaçi flet për paqen e brishtë në Kosovë


Kryeministri Hashim Thaçi në Universitetin e Denverit, prill, 2012
Kryeministri Hashim Thaçi në Universitetin e Denverit, prill, 2012
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të një ligjërate mbajtur në Shkollën Ndërkombëtare të Studimeve Ndërkombëtare “Josep Korbel” në Universitetin e Denverit të SHBA-së, e ka quajtur akt terrorist vrasjen e Selver Haradinajt në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ai para studentëve dhe mysafirëve, ka thënë se dy ditë para nisjes për Shtetet e Bashkuara, “ngjarjet në vendlindjen time ma përkujtuan brishtësinë e paqes, që po e lija pas.”

“Në një demonstrim të inatit ballkanik, dy pjesëtarë të policisë së Kosovës u kidnapuan nga xhandarmeria e Serbisë, derisa bënin patrullimin e rregullt përgjatë vijës kufitare. Fotografitë e tyre, të shtrirë përtokë u shpërndanë anekënd rajonit derisa Qeveria serbe krekosej me aftësinë e policisë së saj".

"Policët tani janë liruar, ndërkohë që retorika e ndërsjellë kërcënuese sot jehon përgjatë opinionit publik të rajonit”, ka thënë kryeministri Thaçi në ligjëratën, përmes së cilës ka përshkruar të arriturat dhe sfidat e Kosovës në sferën politike, të sigurisë dhe atë ekonomike.

Duke u ndalur në raportet shqiptaro-serbe, kryeminsitri ka thënë se “sfidë jona e radhës është rikthimi i besimit dhe shpresës për banorët serbë në veri të Republikës së Kosovës”.

“Dora e hapur e miqësisë, sigurisë dhe e zhvillimit që moti është drejtuar përtej lumit Ibër, nga Qeveria e Kosovës, dhe nga unë personalisht. Sikur kurdoherë më herët, jemi të gatshëm që qytetarëve tanë serbë t’ua dëshmojmë gatishmërinë tonë që së bashku ta ndërtojmë ardhmërinë e fëmijëve tanë".

"Programet ekonomike, fondet zhvillimore dhe vullneti politik i Qeverisë sonë janë të gatshme për t’u implementuar, si garant i premtimeve tona”, ka thënë Thaçi, duke shrpehur bindjen se me zhvillimin dhe hapjen e vendeve të punës do të marrin fund edhe strukturat paralele serbe.

“Sa më shpejtë që banorët serbë nga veriu i shtetit tonë të bëhen pjesë e integruar e një Kosove të lirë e demokratike, aq më shpejtë dhe aq më i madh do të jetë zhvillimi i mbarë shoqërisë së saj. Aq më shpejtë do të marrë fund mirëmbajtja e industrisë së konfliktit politik, mos-tolerancës etnike dhe shpërfilljes kulturore”, tha Thaci, i cili shtoi se një një ardhmëri e këtillë për Kosovën dhe për mbarë Ballkanin është e mundshme, por do të ishte e qëndrushme dhe e garantueshme nëse e ka përkrahjen Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG