Ndërlidhjet

Maqedoni: Vrasje e pesëfishtë


Në vendin ku ka ndodhur krimi, të premten u tubuan banorë të shumtë për të shprehur revoltën ndaj vrasjes së pesëfishtë.
Në vendin ku ka ndodhur krimi, të premten u tubuan banorë të shumtë për të shprehur revoltën ndaj vrasjes së pesëfishtë.
Ministria e Punëve të Brendshme apeloi për qetësi dhe përmbajtje pas vrasjes, të enjten, të pesë personave të etnitetit maqedonas, në afërsi të një liqeni artificial në fshatin Smillkovë të Shkupit.

Zëdhënësi i Ministrisë, Ivo Kotevski, tha se për momentin është me rëndësi që të mos spekulohet me motivet e këtij akti të rëndë që ka shkaktuar reagime dhe bllokim të qarkores së Shkupit nga banorët lokalë.

Vrasja e katër personave të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe e një tjetri të moshës 44-vjeçare, ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22 e 30 minuta nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe gëzhoja nga plumbat e shkrepur. Policia dyshon se 44-vjeçari, Borçe Cvetkovski, është vrarë pasi ka qenë dëshmitar i vrasjes së katër personave të tjerë. Ai besohet të ketë qenë duke peshkuar në momentin kur autorët kanë kryer vrasjen e katër të rinjve të tjerë.

Nga MPB-ja thanë se po punojnë për ndriçimin e plotë të rastit dhe se për këtë qëllim është formuar një shtab i posaçëm operativ nga ekipe të specializuar të policisë.

“Lusim mediumet dhe opinionin që të përmbahen nga çfarëdo qoftë spekulimi që mund të ngrejë tensionet ndëretnike. Hetimet po zhvillohen me intensiteti të lartë për gjetjen dhe identifikimin e autorëve të këtij akti. Katër trupat e pajetë të të rinjve janë gjetur njëri pranë tjetrit, kurse pak më larg tyre edhe trupi i personit të pestë. Ata janë dërguar për ekspertizë mjekësore për t’i zbardhur shkaqet e vdekjes së tyre”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski.

Në vendin ku ka ndodhur krimi, të premten ishin tubuar banorë të shumtë për të shprehur revoltën ndaj këtij akti. Disa prej tyre bënin thirrje për “Maqedoni të pastër”, duke tentuar t’i japin aktit të kryer motive etnike që nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme përjashtohet si mundësi.

“Kjo është tragjedi e madhe. I bëjmë thirrje policisë që sa më parë të zbardhë këtë rast. Kemi bllokuar autostradën në shenjë revolte dhe nuk do të largohemi derisa të mos zbardhet rasti. Unë e njoh personalisht njërin nga të vrarët, ai ka qenë peshkatar, njeri i mirë që s’ka bërë asgjë të keqe. Ne, më parë kemi pasur probleme me fqinjët tanë, kanë ndodhur incidente në autobus, por kjo që ka ndodhur, është vërtet tragjike. Ne nuk themi se e kanë bërë ata, por policia duhet t’i zbulojë autorët e këtij krimi“, deklaroi Dragi Stojkovski, një nga banorët protestues.

Masa e tubuar në një rast ka sulmuar edhe kordonin e policisë, e cila ishte e pranishme me forca të shumta speciale. Shumë rrugë vazhdojnë të mbeten të bllokuara, ndërsa prani e shtuar e forcave policore vërehet edhe në lagjet tjera me popullatë të përzier etnike.

Dënohet akti i vrasjes së pesëfishtë

Drejtuesit e institucioneve dhe partitë politike në Maqedoni e dënuan vrasjen e pesë personave në Shkup, ndërsa bënë thirrje për zbardhjen sa më të shpejtë të aktit, për të mos lënë hapësirë për manipulime të ndryshme, që mund të shkaktojnë tensione ndëretnike në vend.

“Kërkoj dhe pres nga institucionet përgjegjëse që ta zbardhin këtë rast dhe njëkohësisht apeloj për përmbajtje nga të gjithë. Në këto momente të dhimbjes së madhe, më së paku kemi nevojë për keqpërdorimin e kësaj ngjarjeje tragjike. Apeloj për mirëkuptim dhe përgjegjësi”, thuhet në reagimin e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ndaj rastit reagoi edhe partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE.

“Çdo interpretim arbitrar dhe përpjekje për të interpretuar këtë ngjarje pa argumente, e vlerësojmë si veprim të papërgjegjshëm. U bëjmë thirrje të gjithë individëve dhe partive politike të mos përpiqen të abuzojnë me këtë ngjarje, por të veprojnë të gjithë së bashku me ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Lidhur me vrasjen reagoi edhe Lidhja Social-Demokrate e opozitës, duke e vlerësuar si incidentin më të rëndë në Maqedoni në vitet e fundit.

“I bëjmë thirrje gjithë opinionit, e në veçanti banorëve, që të veprojnë të qetë dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje institucioneve dhe MPB-së në veçanti, që urgjentisht të marrë të gjitha masat e nevojshme që sa më shpejt të gjejë autorët dhe t’i nxjerr para drejtësisë”.

“Reagimi i shpejtë i institucioneve është mënyra më e mirë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të sigurisë së përgjithshme dhe situatën politike në Maqedoni”,
thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndërkohë, edhe Ambasada SHBA-së në Maqedoni shprehu keqardhje për vrasjen e pesë personave në afërsi të Shkupit, ndërsa nga të gjitha palët kërkoi ruajtjen e qetësisë dhe kërkoi përmbajtje nga spekulimet dhe pohimet e pavërtetuara.

“Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme. Mbështesim përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar hetimin dhe procedurat ligjore në kohë të duhur. Gjithashtu, mbështesim kërkesën për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të mblidhen të gjitha të dhënat për vrasjet”, thuhet në kumtesën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Për vrasjen e pesëfishtë është biseduar edhe në një takim që ambasadori amerikan, Poll Uolers, pati të premten me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Bashkëbiseduesit u dakorduan se institucionet e vendit duhet të janë aktive edhe në menaxhimin e situatës, por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë opinion-bërësit gjithashtu duhet të japin kontributin e tyre duke mos paragjykuar motivet për këtë krim”, thuhet në kumtesën e BDI-së të publikuar pas takimit Uollers-Ahmeti.

Incidenti u dënua edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila po ashtu apeloi te të gjithë qytetarët që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e spekulimeve dhe provokimeve të ndryshme.

“Kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin rastin në fjalë dhe autorët të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në reagimin e PDSH-së.


Rrugët e bllokuara pas vrasjes së pesëfishtë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:57 0:00
XS
SM
MD
LG