Ndërlidhjet

Paralajmërojnë mbrojtjen e çdo centimetri të territorit


Kabineti qeveritar

Kabineti qeveritar


Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka drejtuar një mesazh qeverisë në Beograd se nuk do të lejohet cenimi i tërësisë territoriale të Kosovës.

Mesazhi politik i kryeministrit është adresuar gjatë fjalës së tij hyrëse në hapje të mbledhjes së qeverisë pas disa incidenteve të fundit, siç ishte arrestimi i dy policëve kufitar të Kosovës nga xhandarmëria serbe në Mërdar, paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe incidenteve të shtuara në veri të Mitrovicës.

Thaçi tha se integriteti i Kosovës do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore.

Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës e ka mandatin dhe e ka besimin e plotë të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe”, ka adresuar mesazhin e tij Thaçi.

Ishte ky adresimi i parë i kryeministrit Thaçi para kabinetit qeveritar pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mes tjerash ai kishte realizuar edhe takime me nënkryetarin Xhozef Bajden, sekretaren e shtetin Hilari Klinton dhe shumë personalitete tjera.

Thaçi tha se është qëndrim i prerë i Uashingtonit që Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë, ndërkaq për situatën në veri, ai tha se ka mbështetjen në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in atje të vendoset rendi dhe ligji.

Sa i përket rastit të fundit të vrasjes së qytetarit Selver Haradinajt në banesën e tij në veri të Mitrovicës, Thaçi tha se ai është një akt terrorist që duhet ndriçuar pa paragjykuar për motivet e tij.

Kemi dënuar atë akt kriminal, terrorist. Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve edhe në veri dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të ardhur deri te e vërteta rreth këtij akti kriminal duke mos pretenduar në asnjë rrethanë të prejudikojmë në motivin qoftë politik apo etnik. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e vet, ndërsa politika në raste të tilla më së paku duhet të flet”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që organet shtetërore të Kosovës të ndërhyjnë në veri, ndonëse ai në shumë raste ka përmendur se një përgjegjësi të plotë për veprim në atë pjesë e kanë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.

Çdo veprim kushtetues e ligjor do ta kryejmë përballë kriminelëve dhe nuk do të dorëzohemi përballë atyre kriminelëve që po i shohim që po kryejnë veprime atje. Kjo është punë e kryer. Por, kjo nuk është punë politike, është operative dhe nuk është punë që po e themi se do ta sulmojmë sot ose nesër, por do të punojmë për rend e ligj në gjithë territorin e Republikës dhe kudo që paraqiten veprime kundërligjore do të reagojmë”, ka thënë Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar se KFOR-i ka bastisur njësitë e forcave speciale të Policisë së Kosovës – ROSU, pas disa paralajmërimeve se ata po bëheshin gati për një aksion në Mitrovicë, por ka pranuar se prania e këtyre forcave në Mitrovicë, siç tha Kuçi, “ka trembur pak KFOR-in”.

Atë moment që merr vendim Qeveria e Kosovës, Ministria e Brendshme, komandanti i policisë, nuk ka kush që e ndalë ROSU-në dhe mos ta mbajë kush atë mendje që mund të krijojë përshtypje tjetër. Por, po e them nuk jemi në konflikt me KFOR-in. Kanë mundur të marrin pak të trembur KFOR-i, por logjika e jonë është që KFOR-i duhet të jetë ndihmues në vendosjen e rendit dhe ligjit dhe duhet t’i ndalë kriminelët çka po bëjnë në atë pjesë”, ka deklaruar Kuçi.

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë ngritur sërish edhe tensionet e brendshme politike.

Ndërsa qeveria bën thirrje për maturi dhe veprime të koordinuara, një pjesë e opozitës kërkon masa urgjente, përfshi edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në atë pjesë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG