Ndërlidhjet

Kurti u shkruan ministrave të BE-së


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ka shkruar letër 27 ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, në lidhje me arrestimet e shqiptarëve nga ana e autoriteteve serbe, si dhe për sulmin në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë, ku ka mbetur i vrarë një person.

Kurti ka kujtuar zyrtarët evropianë se ministri Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ka pranuar se arrestimet janë bërë në shenjë hakmarrjeje ndaj ndalimit të katër serbëve në Kosovë.

“Policia e Kosovës ka arrestuar katër serbët që bartnin material për zgjedhjet lokale të Serbisë – zgjedhje që shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe pengojnë funksionalitetin e shtetit. Është e qartë se motivet janë thjesht politike dhe se arrestimet janë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ky i fundit u bën thirrje kryediplomatëve evropianë të ushtrojnë ndikimin e tyre për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë shqiptarëve të arrestuar nga Serbia, gjatë muajit të kaluar, nën motive politike.

Duke shkruar për veriun, Kurti thotë se situata në këtë pjesë të vendit është përkeqësuar seriozisht.

“Mbrëmjen e së shtunës, në zonën e Tre Rrokaqiejve, Selver Haradinaj (38 vjeç) është vrarë në një sulm terrorist në shtëpinë e tij, i cili po ashtu ka plagosur gruan dhe katër fëmijët e tij. Të hënën, më 9 prill, një pikë statike e Policisë së Kosovës është shkatërruar nga pjesëtarë të strukturave të paligjshme të Serbisë”, shkruan Kurti në letrën dërguar ministrave të BE-së.

Sipas kryetari të “Vetëvendosjes”, me gjithë përkeqësimin e situatës, “ka pak dëshmi për presion ndërkombëtar mbi Beogradin për të liruar të arrestuarit në mënyrë arbitrare”.

Kurti thotë se nuk ka asnjë veprim të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, siç është KFOR-i, “për mbrojtjen e shqiptarëve të pambrojtur, që jetojnë në veri të Mitrovicës”.

“Shpërblimi i Serbisë me statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, pa e detyruar të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, ka inkurajuar Qeverinë në Beograd në fushatën e saj destruktive dhe kriminale në vendin tonë”, përfundon letrën Kurti, duke shfaqur shpresën për veprime të instancave evropiane.
XS
SM
MD
LG