Ndërlidhjet

Fundosja e Titanikut: Tmerri i paharruar


 Një projektim i 'Titanikut' dhe një ajsbergu 500 metra të gjatë në detin Verior Polar të Grenlandës, 13 prill 2012.
Një projektim i 'Titanikut' dhe një ajsbergu 500 metra të gjatë në detin Verior Polar të Grenlandës, 13 prill 2012.
Jo të gjithë pasagjerët në bordin e anijes luksoze Titanik, në vitin 1912 ishin ndërmarrës të pasur dhe kërkues kënaqësie. Pothuajse gjysma e pasagjerëve ishin imigrantë të klasës punëtore, që kalonin oqeanin për një jetë më të mirë në SHBA ose Kanada. Derisa bota shënon 100-vjetorin e fundosjes së Titanikut, Dejzi Sindelar e Radios Evropa e Lirë, hedh vështrimin mbi rrëfimin e një pasagjeri armen që kishte ikur nga Perandoria Osmane, për ta gjetur veten në Titanik - por, mbijetoi për ta rrëfyer tregimin.

Neshan Krekorian ishte afër të 20-tave kur i ati i kërkoi që ta linte shtëpinë në perëndim të Armenisë për të nisur një jetë të re përtej Oqeanit Atlantik. Mijëra armenë po bënin të njëjtën gjë, në përpjekje për t’i ikur dhunës në rritje dhe përndjekjes së turqve të epokës osmane.

Krekorian iku, përmes Evropës dhe bleu një biletë të klasës së tretë, në atë që do të bëhej udhëtim fatkeq i oqeanit. Nipi i tij, Van Solomonian, shpjegon:

Varri i të mbijetuarit Neshan Krekorian, njërit nga mbi 700 pasagjerët e klasës së tretë të Titanikut.
Varri i të mbijetuarit Neshan Krekorian, njërit nga mbi 700 pasagjerët e klasës së tretë të Titanikut.
“Babai i tij i kishte thënë që ta linte vendin për të kërkuar një jetë të re në Kanada dhe mundësisht t’i merrte pastaj dhe vëllezërit me vete. Ai i kishte dy vëllezër më të vegjël, që qëndruan në shtëpi. Gjyshi im mblodhi katër bashkatdhetarë nga Armenia turke në zonën, në të cilën jetonte, Kegi. Ata shkuan në Sherburg të Francës dhe fati i solli në Titanik”, rrëfen Solomonian.

Krekorian ishte njëri nga mbi 700 pasagjerët e klasës së tretë në lundrimin e parë festues të anijes oqeanike.

Imigrantët nga Skandinavia, Evropa Lindore dhe Lindja e Mesme për një biletë të klasës së tretë paguanin një shumë parash, që tash mund të vlente një mijë dollarë. Me këtë biletë atyre u mundësohej një fjetje modeste dhe ushqim në sallën e ushqimit, po ashtu, të klasës së tretë gjatë atij, që thuhej se do të ishte udhëtim njëjavor.

Solomonian kujton gjyshin e tij t’i ketë përshkruar kabinat si të ngushta, por të përshtatshme.

Por, gjërat morën një kthesë për të keqe, pas pesë netësh udhëtimi.
Afër mesnatës së 14 prillit, anija goditi një ajsberg masiv në Atlantikun Verior dhe filloi ngadalë të fundosej.

Solomonian tha se gjyshi i tij dhe disa pasagjerë të klasës së tretë sapo kishin nisur një lojë bixhozi në kohën e përplasjes.

“Ata po luanin me karta bixhozi kur dëgjuan një dridhje dhe një zhurmë të shurdhër. Ai e diti se diçka kishte ndodhur, por nuk e dinte se çka. Problemi me pasagjerët e klasës së tretë ishte se ata ishin mbyllur në kuvertat e tyre, për shkak se rregullat e kohës kërkonin që të mos i lejonin pasagjerët e asaj klase të përziheshin me ata të klasës së parë dhe të dytë. Ai dhe disa persona të tjerë u desh të këpusnin zinxhirët për t’u ngritur në kuvertën e sipërme. Gjyshi im përfundoi në barkën 10. Barka ishte zbritur, dhe ai vetëm kërceu anash dhe iku me të”, kujton Solomonian.

Titaniku
Titaniku
Shumë pasagjerë të klasës së tretë nuk ishin as për së afërmi kaq me fat. Më shumë se dy të tretat e atyre që ishin në këtë klasë, u fundosën, shumica nga ta, meqë e kishin të pamundur të ngjiteshin në katet e sipërme.

Nga afërisht 2 mijë e 200 njerëz në bord, vetëm 700 kanë mbijetuar, shumica e tyre, udhëtarë të klasës të parë dhe të dytë.

Krekorian e bëri udhëtimin e tij për në Kanada, ku përfundimisht u vendos në qytetin St. Catherines në Ontario.

Si punëtor shkritore në fabrikën lokale të General Motors, ai fitoi para të mjaftueshme për të plotësuar dëshirën e babait të tij për të sjellë vëllezërit e vegjël në Kanada dhe ndihmoi në ngritjen e kishës armene në qytet, të parën e këtij lloji në shtet.

Solomonian tha se është e mundur që vëllezërit e gjyshit të tij, të kishin mësuar për fatin e Titanikut vetëm pasi që kanë arritur në Kanada. Kur, Krekorian vdiq në moshën 89-vjeçare, njëri nga vëllezërit, mbi gurin e varrit të tij, pëshpëriste mirënjohjen për ndihmën që Neshan dha për largimin e tyre nga Kegi.

Solomonian, që u rrit në St. Catherines dhe tash jeton në Toronto, e kujton gjyshin e tij si një njeri të qetë që fliste pak anglisht dhe kujtonte traditat armene.

Krekorian kishte folur rrallë për përvojën e tij në Titanikun fatkeq. Solomonian kujton vetëm copëra të shkurtra rrëfimi të gjyshit të tij për klithmat e dëshpëruara për ndihmë të pasagjerëve dhe zhytjes kah vdekja në ujërat e akullta. Por, ai është i sigurt se Krekorian kurrë nuk e ka harruar tmerrin e asaj dite.

“Ai kurrë më në jetën e tij nuk ka hipur në barkë. Ai nuk mund të notonte. Në St. Catherines është një plazh i bukur në Liqenin Ontario, dhe kur familja shkonte atje për piknik të dielave, ai kurrë nuk shkonte. Mendoj se kjo flet për traumën që e ka përjetuar. Ai kurrë nuk e ka kaluar atë frikë”, thotë Solomonian.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG