Ndërlidhjet

Bogdanoviq: S’ka zgjedhje lokale në Kosovë


Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.
Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.
Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se shteti serb nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Nuk duam që në asnjë mënyrë të shkelim Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe të vëmë në rrezik serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër”, ka thënë Bogdanoviq për mediat serbe, duke kujtuar përgjigjen negative edhe të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

“Mosorganizimi i zgjedhjeve në Kosovë nuk do të thotë se institucionet e Serbisë do të shuhen. Përkundrazi, zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur nga viti 1999 deri më 2008 dhe institucionet tona kanë mbijetuar. Kanë qenë ndoshta edhe më të forta se ato që janë formuar pas mbajtjes së zgjedhjeve”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai nuk i ka quajtur të mira paralajmërimet, sipas të cilave, në dy komuna të veriut të Kosovës do të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë.

“Unë apeloj që të hiqet dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, sepse ekzistojnë mënyra të ndryshme që qeveritë lokale në veri të vazhdojnë të funksionojnë”, ka thënë Bogdanoviq.

Serbia, që nga paslufta, ka organizuar disa herë zgjedhje në territorin e Kosovës. Megjithatë, rezultatet e tyre nuk janë njohur si të ligjshme as nga institucionet vendore, as ato ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG