Ndërlidhjet

Siri: Opozita e inkurajuar nga bisedat në Rusi


Një grup i vëzhguesve të OKB-së që kanë arritur në Damask të Sirisë
Një grup i vëzhguesve të OKB-së që kanë arritur në Damask të Sirisë
Liderët opozitarë të Sirisë, që u takuan sot me zyrtarët në Moskë, thanë se ata ishin inurajuar nga deklaratat ruse për mbështetjen e demokratizimit të mëtejshëm në Siri.

Hejtam Mana, zëdhënës i Komisionit Arab për të Drejtat e Njeriut, tha se “Rusia i ka të gjitha levat e nevojshme për të bërë presion në qeverinë e presidentit Asad dhe për ta ndihmuar misionin e të dërguarit ndërkombëtar, Kofi Anan”.

Sot më herët gjatë ditës, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i ka kritikuar “forcat e brendshme” të paspecifikuara, për shkatërrimin e përpjekjeve për sjelljen e paqes në Siri.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, tha se qeveria e Sirisë duhet të siguroj që vëzhguesit e OKB-së të jenë në gjendje të lëvizin lirisht për ta monitoruar armëpushimin e ndjeshëm në këtë vend.

Pekini ka njoftuar se ministri i jashtëm i Sirisë, Valid Muallem, nesër do ta vizitoj Kinën.

Kina, së bashku me Rusinë, u kanë vënë veto dy rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ishin kritike ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad.
XS
SM
MD
LG