Ndërlidhjet

Prishtinë: Të gjitha fuqitë ligjore kundër zgjedhjeve serbe


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës

Institucionet më të larta udhëheqëse të Kosovës, vazhdojnë të zotohen se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës.

Për këtë qëndrim të prerë për moslejimin e këtyre zgjedhjeve, autoritetet në Prishtinë thonë se e kanë edhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se pretendimet e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve lokale do të dështojnë.

Ai është zotuar se Qeveria e Kosovës do të përdorë ta gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore për të penguar mbajtjen e tyre.

Pretendimi i Serbisë për të organizuar zgjedhje lokale në Republikën e Kosovës do të dështojë, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që një gjë të tillë të mos e lejojë dhe do të përdorim gjithë forcën kushtetuese e ligjore që diçka e tillë të mos ndodhë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, nga presidenca e Kosovës, ripërsëritet qëndrimi që tashmë ka shprehur presidentja Atifete Jahjaga, se zgjedhjet lokale serbe nuk mund të mbahen në Kosovë.

Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, thotë se zgjedhje lokale apo çfarëdo qofshin ato, nuk mund dhe nuk do të organizohen në territorin e Republikës së Kosovës, sepse ato shkelin sovranitetin e shtetin, sfidojnë fuqishëm integritetin territorial si dhe provokojnë destabilizimin e Kosovës.

Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojë zgjedhje kudo qoftë në territorin e Kosovës. Çfarëdo përpjekje e Serbisë për të organizuar zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, shkel normat dhe ligjet ndërkombëtare si dhe parimet themelore evropiane. Si të tilla, këto përpjekje janë të papranueshme dhe jo legale”, ka deklaruar Vllahiu.

Për dallim nga zgjedhjet lokale, institucionet e Kosovës thonë se nuk do t’i pengojnë qytetarët me dy shtetësi që të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Por, edhe për këto zgjedhje, ata kërkojnë që të respektohen parimet dhe standardet evropiane.

Kryeministri Thaçi tha se është në bisedime me misionin e OSBE-së për t’iu mundësuar serbëve që të votojnë në disa pika mobile të votimit, në mënyrë që ato vota të numërohen në Serbi, por në asnjë mënyrë, sipas tij, nuk do të lejohet që të ketë organizim të zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Unë edhe sot jam takuar me shefin e OSBE-së, zotin Zanieri. Do të lehtësohet pjesëmarrja në votim, por jo e organizimit të zgjedhjeve të lira për zgjedhjet parlamentare, do të thotë participimi në votim, dhe pastaj ato kuti nga një organizatë ndërkombëtare të barten në Serbi. Por, jo hapje të qendrave të votimit nga Serbia në Kosovë, por qendra mobile të OSBE-së, nëse ndonjë qytetar dëshiron të merr pjesë në votim”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve, sidomos ata nga pjesa veriore e Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se përveç zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, do të organizojnë edhe zgjedhje lokale në të paktën tri komuna.

Kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq ka deklaruar se zgjedhje lokale do të ketë në Zveçan, Zubin Potok dhe në Shtërpcë.

Ndërkaq, për komunat tjera, ai ka thënë se autoritetet e Beogradit, të cilat edhe i mbajnë në jetë strukturat e pushtetit ilegal në Kosovë, do t’u zgjasin atyre mandatin.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i Prishtinë në ditët e ardhshme nëse strukturat e pushtetit paralel serb në Kosovë do të tentojnë të organizojnë këto zgjedhje të caktuara për datën 6 maj.

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar jo vetëm konfiskimin e materialeve zgjedhore, por organizatorëve u kanë tërhequr vërejtjen se do të ballafaqohen edhe me pasoja ligjore.
XS
SM
MD
LG