Ndërlidhjet

logo-print

Zbulohen nënllojet e kancerit të gjirit


Mostër e kancerit të gjirit nën mikroskop

Mostër e kancerit të gjirit nën mikroskop

Një numër shkëncetarësh, të përfshirë në një studim gjithëpërfshirës ndërkombëtar në gjenetikën e kancerit të gjirit, thonë se tani kjo sëmundje mund të klasifikohet në 10 nën-lloje – një zbulim ky, i cili mundësonë trajtime më të sakta dhe më adekuate për pacientët individual në të ardhmen.

Në hulumtimin e publikuar në revistën “Nature”, ekipi i udhëhequr nga shkencëtarët e Qendrës Britanike të Hulumtimit (CRUK Cambridge Research Institute), gjithashtu kanë zbuluar disa gjene tërësisht të reja që nxisin kancerin e gjirit, duke ofruar kësisoji shënjestra potenciale për llojet e reja të ilaçeve.

Karlos Kaldas, njëri nga bashkë-udhëheqësit e studimit, ka shpjeguar se zbulimet e reja nënkupton se kanceri i gjirit tani duhet të shihet si një “shprehje ombrellë”, për një numër më të madh sëmundjesh.

"Në thelb, ne kemi lëvizur vendit, nga njohuritë se si duket kanceri i gjirit nën mikroskop drejt përcaktimit të anatomisë molekulare”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky hulumtim nuk do të ketë ndonjë efekt te gratë tashmë të diagnostikuara me këtë sëmundje, porse në të ardhmen, pacientët do të marrin një trajtim të shënjestëruar ndaj përbërjes gjenetike të secilit tumor veç e veç.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur te gratë në mbarë botën, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në një studim të publikuar vitin e kaluar nga “Instituti për Matjet dhe Vlerësime Shëndetësore” (Institute for Health Metrics and Evaluation) në Shtetet e Bashkuara, thuhet se rastet me kancer të gjirit në botë janë dyfishuar në tri dekadat e fundit.

Për studimin e fundit gjenetik ndërkaq, ekipi i Kaldasit ka punuar së bashku me agjencinë kanadeze “BC Cancer Agency” dhe ka analizuar 2,000 mostra tumori, të cilat janë marrë nga gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit para 5 deri në 10 vjetësh.

Ekipi ka studiuar AND-në (Acidin Desoksiribonukleik) dhe ARN-në (Acidi Ribonukleik), e cila përkthen AND-në në proteina, për të zbuluar se cilat gjene kyçen dhe çkyçen në secilën mostër të tumorit. (a.v.)

* huazuar nga agjencitë botërore të lajmeve
XS
SM
MD
LG