Ndërlidhjet

Topi - Ivanov: “Qarqe të caktuara punojnë për destabilizim të rajonit”


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kanë bërë thirrje në Shkup për ruajtjen e bashkëjetesës ndëretnike dhe shmangien e provokimeve të qendrave të caktuara, që, sipas tyre, synojnë destabilizimin jo vetëm të Maqedonisë, por dhe të rajonit në përgjithësi.

Ivanov dhe Topi, këto komente i bënë duke dhënë vlerësime për vrasjen e pesë qytetarëve maqedonas më 12 prill në afërsi të fshatit Smillkovë të Shkupit.

Është më se e qartë se dikush nuk është i interesuar që rajoni të përparojë dhe të përmirësohet gjendja në çdo plan. Pra, presim që institucionet të bëjnë punën e tyre pasi është në interesin e të gjithëve që ky rast të zbardhet sa më shpejt, pasi ata që e kanë bërë këtë vepër mizore, mund këtë ta bëjnë edhe në ndonjë vend tjetër”, deklaroi presidenti Ivanov.

Ndërsa presidenti Topi tha se çdo paragjykim mbi këtë rast do të dëmtonte harmoninë ndëretnike në Maqedoni, e që do të kishte pasoja edhe ndaj pjesëve tjera të rajonit.

Çdo refleks nacionalist apo ultranacionalist, dhe aq më shumë ndonjë klimë paragjykuese do të ishte shumë e dëmshme për harmoninë mes qytetarëve midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe harmoninë në rajon. Çdo akt destabilizues, çdo akt kriminal duhet të konsiderohet si i tillë dhe duhet patjetër të vendoset në linjën e hetimit dhe dhënies së drejtësisë sipas standardit ligjor. Çdo klimë paragjykuese është e papranueshme”, deklaroi Topi, duke i vlerësuar si shumë të mira raportet mes dy vendeve ndërsa premtoi përkushtimin e plotë të Shqipërisë për të ndihmuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Presidenti Topi tha se një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në Maqedoni mund të luajnë mediat duke izoluar interpretimet e qëllimshme që bëhen mbi incidentin ndërsa ka veçuar ato vijnë nga Serbia.

Të jepni mesazhe harmonie të një bashkëjetese në një mjedis të përbashkët ku interesi i vendit në projeksionin euroatlantik të jetë interes i çdo qytetari dhe të izoloni të gjitha interpretimet dashakeqe që bëhen me bekgraunde nacionaliste një pjesë e të cilave natyrisht vijnë nga Serbia, pra gjërat duhet të skanohen dhe të trajtohen në mënyrë shumë realiste”, tha Topi.

Ai, për zhvillimet në Maqedoni në kontekst të vrasjes së pesëfishtë ka biseduar edhe me drejtuesit tjerë të lartë shtetërorë kryeministrin, Nikolla Gruevskni, kryeparlamentarin Trajko Veljanovskin dhe liderët e partive politike shqiptare.

Ndryshe, për vrasjen e pesë maqedonasve të enjten është diskutuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë, ku Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në pyetjen e deputetëve të opozitës, tha se ekipet e specializuara të policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e rastit.

Por, vlerësimet e saj janë kundërshtuar nga ana e opozitës duke e akuzuar për paaftësi në përballje me krimin, ndërsa nga kryeministri Gruevski kërkoi shkarkimin e saj.

Por, kreu i qeverisë përjashtoi një mundësi të tillë duke lavdëruar madje punën e Jankullovskës dhe të ekipit të saj, që sipas Gruevskit ka dhënë rezultatet më të mira që nga pavarësimi i vendit.
XS
SM
MD
LG