Ndërlidhjet

Obama: Koha për ndërtimin e kombit


Barak Obama, 2 maj 2012
Barak Obama, 2 maj 2012
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka bërë thirrje për një fokus të përtërirë në ndërtimin e kombit në vend, një dekadë pas luftës në Afganistan.

“Pas më shumë se një dekade luftë, është koha të fokusohemi në ndërtimin e kombit, këtu në vend”, ka thënë Obama.

Në fjalimin e përjavshëm, ai i ka bërë një rezyme udhëtimit të kësaj jave në Afganistan, ku ka nënshkruar marrëveshjen për partneritet strategjik me presidentin afgan, Hamid Karzai, dhe ka shënuar përvjetorin e vrasjes së Osama Bin Ladenit.

“Këtë javë, unë kam udhëtuar drejt Afganistanit për të falënderuar trupat tona që shërbejnë larg shtëpisë dhe për të nënshkruar marrëveshjen që do të na ndihmojë të përfundojmë misionin dhe luftën”, ka thënë Obama.

“Ne kemi mposhtur hovin e talibanëve dhe kemi ndërtuar forca të forta të sigurisë. Ne kemi shkatërruar udhëheqjen e Al Kaidës”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ai ka thënë se edhe 23,000 ushtarë të Shteteve të Bashkuara do të lënë Afganistanin, për të pasuar 10,000 të tjerët që janë larguar vitin e kaluar. Obama ka ritheksuar se në fund të 2014-ës, afganët do të jenë “përgjegjës të plotë” për sigurinë e vendit të tyre.

Obama, të shtunën, do të nisë zyrtarisht fushatën zgjedhore në Ohajo dhe Virxhinia. Të dyja shtetet konsiderohen si kyçe për shpresat e tij për të fituar mandatin e dytë presidencial në nëntor.

Kandidati republikan që do të sfidojë Obamën pritet të jetë ish-guvernatori i Masaçusecit, Mit Romni.(v.t.)
XS
SM
MD
LG