Ndërlidhjet

Ku shkon kredia e FMN-së?


FMN
FMN

Kredia e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e aprovuar javën e kaluar nga bordi ekzekutiv i këtij institucioni, do të alokohet në buxhetin e Kosovës, pasi një shumë e mjeteve është planifikuar edhe gjatë projeksionit të buxhetit të këtij viti, thonë zyrtarë të qeverisë.

Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, pohon se këto mjete nuk ndërlidhen me ndonjë projekt të veçantë apo specifik, por janë mjete buxhetore, shpërndarja e të cilave do të realizohet përmes Ligjit për Buxhet.

“Planifikimi i mjeteve shkon sipas Ligjit për Buxhet 2012, sepse edhe në projeksionet buxhetore, është paraparë e hyra prej FMN-së të jetë prej 94 milionë eurosh”.

Do të thotë se këto nuk do të ndërlidhen me ndonjë projekt të veçantë apo specifik, por është e hyrë buxhetore, dhe pastaj dhënia e mjeteve bëhet në bazë të ligjit të buxhetit”, shprehet Ibra.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, pohojnë se këto mjete duhet të shpenzohen vetëm për projekte kapitale dhe jo për konsum dhe materiale shpenzuese.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se kredia e FMN-së duhet të shpenzohet për zhvillim ekonomik.

Ato mjete duhet të shfrytëzohen për projekte zhvillimore, dhe jo për konsum në Kosovë. Qëllimi i këtyre mjeteve është zhvillimi më i shpejtë dhe hapja e vendeve të reja të punës”.

Unë besoj se shumë shpejtë mund të arrihet ndonjë pajtueshmëri se këto mjete të shfrytëzohen për ndonjë projekt zhvillimor infrastruktural në Kosovë”, thekson Bektashi.

Javën e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar një kredi prej rreth 107 milionë eurosh.

Nga kjo shumë, 5 milionë euro mund të merren menjëherë, ndërsa shuma tjetër, siç thuhet, përkrah programin ekonomik të qeverisë për vitin 2012-2013.

Menderes Ibra, sqaron se këtë vit, në buxhetin e Kosovës do të derdhen rreth 95 milionë euro, 5 milion nga të cilat do të merren menjëherë, ndërsa shuma që mbetet do të kalojnë në buxhetin e vitit 2013.

Kthimi i kredisë do të ndodhë në pesë vjetët e ardhshëm.

Shpenzimi i këtyre mjeteve, me faktin se ato vijnë në llogarinë e thesarit, do të thotë në buxhetin e Kosovës, i nënshtrohen të gjitha procedurave të njëjta që zbatohen me shpenzimin e parasë publike”.

Me këtë rast, nuk ka mënyrë apo procedurë të veçantë për shpenzimin e vetëm të këtyre mjeteve”, thekson Ibra.

Sidoqoftë, edhe presidentja e Republikës se Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mirëpritur vendimin e Bordit Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar për aprovimin e marrëveshjen së re të quajtur “ Stand By” me Kosovën.

Presidentja Jahjaga, ka vlerësuar se është i nevojshëm një angazhim i shtuar i institucioneve, jo vetëm për të ruajtur stabilitetin financiar, por edhe për të avancuar reformat e nevojshme ekonomike, që kanë për qëllim përmirësimin e klimës së biznesit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, si parakushte për rritjen ekonomike në vendin tonë.
XS
SM
MD
LG