Ndërlidhjet

Rrugëtimi i Kosovës s'varet nga pushtetet politike në Serbi


Prishtina
Prishtina
Qeveria e Kosovës është shprehur në mbështetje të një pushteti pro-evropian në Serbi me vlerësimin se udhëheqja e një politike të tillë nga Beogradi zyrtar do t’i bënte mirë tërë rajonit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, theksoi se Kosova do t’i kryejë, siç tha ai, obligimet që ka karshi çdo pushteti në Serbi, por se proceset integruese të vendit nuk varen nga politika serbe.

Ne jemi të gatshëm që t’i kryejmë obligimet tona shtetërore përballë kujtdo që mund të jetë në Serbi, por politika e Kosovës, integrimi i Kosovës, rrugëtimi i Kosovës nuk varet nga pushtetet politike në Serbi. Kosova ka rrugën e vet, por kushdo që është në Serbi e që është i orientuar kah perëndimi i bën mirë, në radhë të parë popullit serb e pastaj edhe tërë rajonit”, u shpreh ai pas mbledhjes së radhës të ekzekutivit kosovar.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Serbisë vënë në dukje një garë të ngushtë për postin e presidentit në mes të presidentit të deritashëm të Serbisë Boris Tadiq dhe konkurrentit të tij, Tomisllav Nikolliq.

Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare serbe në 90 vendvotime gjithandej Kosovës ishte lehtësuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Pjesëmarrja në votimet e së dielës, sipas OSBE-së, ka qenë 32.17 për qind, ndërsa mësohet se kutitë e votimit janë transportuar, pa probleme, në Vranjë dhe Rashkë për numërimin e votave nga autoritetet serbe.

Zëdhënësi i OSBE-së në Kosovë, Nikolla Gaon, i tha Radios Evropa e Lirë se bazuar në marrëveshjen për lehtësimin e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale serbe në Kosovë, misioni do të ishte i gatshëm të lehtësojë edhe balotazhin për president të Serbisë.

Marrëveshja ka të bëjë me lehtësimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Andaj, nëse ka një raund të dytë për zgjedhjet presidenciale, OSBE-ja sërish do të lehtësonte procesin e votimit meqenëse e tërë ajo që po bëjmë ne këtu është t’u mundësojmë votuesve potencialë në Kosovë të shfrytëzojnë të drejtën për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, tha ai.

Pavarësisht informatave që flasin për zhvillimin e zgjedhjeve lokale serbe ne pjesën veriore të Kosovës, Gaon tha se një gjë e tillë nuk ka ndodhur në qendrat e votimit të menaxhuara nga OSBE-ja.

Zëvendëskryeministri Kuçi, ndërkaq, e quajti “farsë” mbajtjen e zgjedhjeve lokale në disa pjesë në veri të vendit.

Dy të tretat e njerëzve më shumë ka dalë në zgjedhjet që i ka mbajtur Kosova se sa ato që janë mbajtur për qytetarët me dyshtetësi, ndërsa ato që janë mbajtur në Zveçan e Zubin Potok janë pa efekt juridik e politik-janë një farsë që kanë bërë njerëzit nëpër shtëpi private. S’ka qenë qëllimi ynë të hyjmë nëpër ato shtëpi dhe ta ndalojmë atë farsë kur ato zgjedhje nuk njihen as nga faktori ndërkombëtar, as nga Serbia e as nga vet ne”, tha ai.

Kundërshtimi kategorik i Prishtinës zyrtare ndaj nismave për organizimin e proceseve zgjedhore, që një pjesë e serbëve lokalë ka ndërmarrë përgjatë viteve të kaluara në zonat në veri të Mitrovicës, ngjason me kundërshtimin e banorëve serbë të asaj pjese ndaj autoritetit shtetëror të Kosovës.

Në qeverinë e vendit, megjithatë, thanë se Kosova do të organizojë zgjedhjet e saja lokale në pjesën veriore sapo të jenë krijuar kushtet për të bërë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG