Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Paneli e mbështet ilaçin për parandalim të HIV-it


Ilustrim

Ilustrim


Një panel këshillues i Administratës së Shteteve të Bashkuara për Ushqim dhe Barëra, e ka mbështetur ilaçin e parë, që tregon se e parandalon infeksionin HIV, duke e hapur rrugën për miratimin e rëndësishëm në luftën kundër virusit, që e shkakton sëmundjen AIDS.

Ilaçi Truvada është përdorur prej vitit 2004, për trajtimin e njerëzve që tashmë janë të prekur nga sëmundja.

Vendimi i panelit këshillues të Administratës për Ushqim dhe Barëra i Shteteve të Bashkuara, e qartëson rrugën për miratimin federal, që do të ishte një zhvillim madhor në luftën 30-vjeçare kundër virusit që e shkakton sëmundjen AIDS.

Truvada, një pilulë e hedhur në treg nga kompania farmaceutike Gilead Sciences, me seli në Kaliforni, është kombinim i dy ilaçe të vjetra për HIV-in.

Ai është përdorur prej vitit 2004 si trajtim për njerëzit që aktualisht janë të infektuar, me gjithë që disa mjekë e kishin përshkruar atë si masë preventive.

Miratimi zyrtar i Administratës për Ushqim dhe Barëra i Shteteve të Bashkuara, që pritet aty kah mesi i muajit qershor, do të lejojë kompaninë që këtë ilaç ta hedhë në tregun e Shteteve të Bashkuara.

Paneli këshillues e ka dhënë mbështetjen e tij për këtë pilulë, pasi eksperimentet klinike kanë treguar se Truvada mund ta ulë rrezikun e infeksionit me HIV te homoseksualët meshkuj për 44 e deri në 73 për qind.

Nga disa mbështetës, ajo është lavdëruar si bar i fuqishëm kundër virusit, që ka çuar në vdekjen e më se 25 milionë njerëzve në mbarë botën.

Në përmasa globale, më se 30 milionë njerëz janë HIV pozitiv.

Vlerësohet se 1.2 milionë amerikanë janë të infektuar.

Pilula ditore është e paraparë për njerëzit e shëndoshë, që janë në rrezik të lartë për ta marrë virusin, siç janë personat meshkuj homoseksualë dhe biseksualë dhe çiftet ku njëri partner është HIV pozitiv.

Miçel Uoren është drejtor ekzekutiv i Koalicionit për Mbështetjen e Vaksinës AIDS me seli në Nju Jork.

Kjo është një organizatë joqeveritare që e promovon parandalimin e virusit HIV.

Zoti Uoren, që ishte i pranishëm në panelin këshillues, tha se rezultatet e ilaçit Truvada ishin “hap i rëndësisë kritike drejt shtimit të një opsioni më tepër në pakon e prevencës”.

Tash, sipas deklaratës së tij për Radion Evropa e Lirë, është çështje e përkthimit të potencialit të ilaçit në ndikimin real në botë.

“Ne na duhet ta kuptojmë tash se si ne e përkthejmë atë efikasitet në eksperimentet klinike në efektivitet në botën reale dhe me të vërtetë të parandalojmë infeksione në numër më të madh. Nga aspekti shkencor është e qartë se kjo është e mundshme. Ne kemi shumë punë para nesh”, tha Miçel Uoren.

Një çështje është çmimi. Truvada kushton 900 dollarë në muaj dhe pavarësisht që është më lirë jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, çmimi ende mund të jetë pengesë në Afrikë, Azinë Qendrore dhe në Evropën Lindore.

Ky shqetësim është shtruar gjatë takimit maratonik 12 orësh të panelit, që përfundoi me votim në mbështetje të ilaçit.

Disa folës kanë shprehur shqetësim se përdorimi në shkallë të gjerë i ilaçit Truvada mund t’i largojë fondet nga opsionet e kushtimit më efektiv.

Fondacioni i Kujdesit Shëndetësor AIDS, që e ka kundërshtuar miratimin e mbështetjes, vlerëson se 20 pacientë me HIV pozitiv mund të trajtohen me çmimin e një pacienti me ilaç preventiv.

Tjetër shqetësim ishte se mund të ndodhë që ilaçi Truvada mund të çojë në përdorimin e reduktuar të kondomëve, që është mbrojtja më e sigurt kundër HIV-it.

Shqetësim tjetër ishte se miratimi i ilaçit për parandalimin e HIV-it, mund të promovojë sjellje të papërgjegjshme seksuale ose të krijojë rezistencë ndaj barërave kundër virusit.

Por, sipas panelit, përfitimet i mbizotërojnë shqetësimet.

Ja se çka thotë Miçel Uoren:

“Mendoj se linja e fundit e të dhënave imponuese është e qartë: se nëse ju jeni në rrezik të transmetimit seksual të virusit HIV ose nëse ju e perceptoni veten tuaj në rrezik dhe nëse ju e merrni pilulën çdo ditë, dhe nëse pilula është pjesë e pakos, përfshirë monitorimin dhe testimin, ju do të nxirrni mbrojtje të rëndësishme nga virusi HIV”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG