Ndërlidhjet

Hoxhaj: Serbia me politikë dyfytyrëshe


Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj
Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj
Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar raporti tremujor për situatën në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-mun, ka potencuar të arriturat dhe sfidat e kësaj periudhe.

Një pjesë të madhe të fjalimit të tij, kryediplomati kosovar ia ka kushtuar pjesës veriore, duke thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë të shqetësuar shumë kur është fjala për situatën në tri komunat veriore.

Hoxhaj tha se Serbia ende mban, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, policinë dhe strukturat ilegale të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe se situata është shumë e tensionuar, dhe ka ende barrikadat të vendosura nga këto struktura.

“Ajo me të cilën ne jemi duke u përballur në këtë pjesë të Kosovës nuk është e re në këtë rajon. Në vitet 1990, barrikadat në Kroaci dhe Bosnjë ishin ngritur nga policia dhe strukturat e sigurisë të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në pothuajse të njëjtën mënyrë se si këto struktura ilegale janë të kontrolluara, të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në veriun e Kosovës. Agjenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status-quos dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale“, tha ministri i jashtë, duke potencuar se kësisoji është bërë e pamundur qasja e insitucioneve si vendore, ashtu edhe ndërkombëtare në këtë pjesë.

Duke iu referuar raportit të sekretarit të përgjithshëm, sipas të cilit, KFOR-it dhe EULEX-it nuk u lejohet të veprojnë atje në bazë të mandateve të tyre, Hoxhaj ka thënë se për më tepër, stabiliteti i Kosovës dhe tërë arkitektura e sigurisë në rajon varet nga situata në veri.

“Më lejoni t'ju jap një shembull: në mëngjesin e hershëm të 8 prillit, një 38-vjeçar baba shqiptar kosovar u vra në banesën e tij në një shpërthim dhe dy nga katër fëmijët e tij u plagosën. Kjo ka ndodhur në një lagje të përzier në veri të Mitrovicës, dhe ky nuk është vetëm një akt i izoluar. Qyteti i Mitrovicës nuk është i ndarë nga lumi Ibër, por nga frika. Përmes frikës dhe kërcënimeve, këto struktura të sigurisë janë duke dëbuar të gjitha komunitetet jo-serbe nga veriu i Kosovës”, tha Hoxhaj.

Në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Sebrisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ai ka thënë se kredibiliteti i tërë procesit të dialogut është në rrezik.

"Marrëveshjet janë të pavlera nëse ato mbeten vetëm në letër dhe nuk implementohen në terren. Dhe shumica prej tyre nuk janë implemetuar aspak: p.sh. Serbia nuk e ka nënshkruar dhe implementuar protokollin teknik në implementimin e menaxhimit te integruar të kufijve, duke e lënë me qëllim si opsion të hapur ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Në anën tjetër, Serbia ka pranuar marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forume(konferenca) rajonale, por ajo edhe më tutje bojkoton çdo takim ku është Kosova prezent dhe insiston në obligime që nuk janë paraparë në marrëveshje”, bëri të ditur Hoxhaj, në seancën e KS të OKB-së.

“Pos tjerash, Serbia ende mbanë strukturat kriminale ilegale të sigurimit dhe të policisë në territorin e Kosovës, çka është në kundërshtim të madh me vlerat e Bashkimit Evropian dhe është një kërcënim i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Në tre muajt e fundit, ne kemi parë dy fytyra të Serbisë: Serbia e cila sillet si një vend pro-evropian në marrëdhëniet me Brukselin dhe Serbinë e cila sillet në mënyrë anti-evropiane në marrëdhëniet me Kosovën”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj në seancën e radhës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
XS
SM
MD
LG