Ndërlidhjet

Afganistani dhe mbrojtja raketore dominojnë Samitin e NATO-s

  • Heather Maher

Samiti i NATO-s në Çikago

Samiti i NATO-s në Çikago

Herën e fundit kur udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur për një samit, në Lisbonë të 2010-ës, ata janë pajtuar të ndalojnë operacionet ushtarake në Afganistan në fund të vitit 2014 dhe të dorëzojnë përgjegjësitë e sigurisë te forcat afgane.

Kur të takohen këtë javë në Çikago, ata do të flasin për mënyrat e realizimit të një gjëje të tillë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, javën e kaluar, ka shfaqur shpresën se Aleanca do të vazhdojë trajnimin, këshillimin dhe asistimin e forcave afgane të sigurisë, ndërsa operacionin e pas-konfliktit e ka cilësuar si “mision të ri me rol të ri”.

Ky mision i ri pritet të kushtojë rreth 4 miliardë euro në vit. Rasmusen pret që udhëheqësit në samit të shprehen të vendosur për angazhimet e tyre financiare.

Në Çikago, do të nisim të përcaktojmë angazhimin tonë për të ndihmuar financimin e forcave afgane të sigurisë, si pjesë e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar, së bashku me ato të afganëve. Të gjithë kemi hise në ruajtjen e arritjeve që kemi bërë së bashku, me investime dhe sakrifica”, ka thënë Rasmusen.

Shumica e aleatëve planifikojnë tërheqjen graduale të forcave luftarake nga tani deri në fund të vitit 2014. Por, ka shqetësime se disa mund të ndjekin presidentin e Francës, Fransua Holland, i cili ka premtuar tërheqjen e trupave franceze nga Afganistani në fund të këtij viti.

Ish-diplomatja amerikane, Hedhër Konlli, e cila tani është drejtore e Programit për Evropën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se nuk parasheh diskutime për rregullat e strategjisë dalëse, të përcaktuara dy vjet më parë në Lisbonë. Megjithatë, ajo pranon se çështja nuk është zgjidhur plotësisht.

Mendoj se ajo që do të shohim do të jetë një rikonfirmim i qartë i strategjisë së tranzicionit deri më 2014. Shumë pyetje, megjithatë, vazhdojnë të mbesin rreth planit të presidentit Holland për tërheqjen e trupave franceze në fund të këtij viti – nëse një gjë e tillë do të ketë efektin domino...”, thotë Konlli.

Në Afganistan, zyrtarët kanë marrë qëndrimin “prit dhe shih”. Siamak Heravi, zëdhënësi i presidentit Hamid Karzai, thotë se qëllimi i delegacionit afgan është që të kthehet në shtëpi me garancitë se aleatët e NATO-s nuk do të braktisin vendin e brishtë.

Shpresojmë se me mbështetjen për programet dhe propozimet që do t’i paraqesë delegacioni afgan në takim, do të ketë garanci afatgjate për paqe dhe stabilitet në Afganistan, në mënyrë që populli afgan të ketë shpresë për të ardhmen”, thotë Heravi.

Këshilltari për siguri i Shtëpisë së Bardhë, Tom Donillon, u ka thënë gazetarëve se presidenti Barak Obama do të ketë një takim privat me Karzain në Çikago, për të shtruar terrenin e bisedimeve për tranzicion.

Ndonëse Afganistani do të dominojë agjendën e samitit, udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë edhe mbrojtjen raketore në Evropë, e cila, prej kohësh, ka qenë pikë e diskutueshme me Moskën.

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të mos ndjekur samitin, u atribuohet kundërshtimeve të tij për sistemin raketor.

Rasmusen ka thënë se përparimet në këtë sistem do të bëhen publike në samit.

Në Çikago do të deklarojmë një aftësi të përkohshme për mbrojtjen raketore. Ky është vetëm hapi i parë, por është i rëndësishëm”, ka thënë Rasmusen.

Në diskutim do të jetë edhe roli i ardhshëm i aleancës 63-vjeçare.
Udhëheqësit planifikojnë të miratojnë një strategji të “mbrojtjes së zgjuar” – një qasje kjo që ka të bëjë me sfidat e shekullit 21, si: situata politike në Lindjen e Mesme dhe forcimi i frikshëm i Kinës.

Sipas NATO-s, strategjia përfshin më shumë bashkëpunim në edukimin ushtarak, në trajnim dhe stërvitje, si dhe aplikimin e teknologjive të reja.

Ai që nuk do të jetë në agjendën e Çikagos, është zgjerimi - çfarë do të thotë se vendet aspiruese, si Gjeorgjia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, do të shkojnë në shtëpi duarbosh.

Dikur prioritet i lartë i NATO-s, zgjerimi tani ndodhet poshtë në listën e prioriteteve – pjesërisht për shkak të krizës aktuale të identitetit të Aleancës, por edhe për shkak të kundërshtimeve të anëtareve kyçe, siç është Gjermania.(v.t.)
XS
SM
MD
LG