Ndërlidhjet

Zeka: Në fushën e prokurimit institucionet shkelin Kushtetutën


Arian Zeka
Arian Zeka
Kur bëhet shpallja e tenderëve të ndryshëm në Kosovë specifikimet teknike shkruhen në atë mënyrë që ato paragjykojnë paraprakisht se kush do të jetë fitues i atij tenderi”, thotë Arian Zeka ushtrues i detyrës së drejtorit ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane.


RADIO EVROPA E LIRË
Sektori privat në Kosovë çdo herë është cilësuar një promotor i zhvillimit ekonomik në vend, por deri më tani ky sektor nuk është mjaft u fuqishëm. Çka po e pengon këtë që të jetë forcë gjeneruese e zhvillimit ekonomik në vend?

ARIAN ZEKA
Përveç faktit që ju e përmendët se është cilësuar si promotor i zhvillimit ekonomik, ajo çka mund të themi që në fillim është se ajo duhet të jetë dhe duhet të shihet si shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, jo vetëm të Kosovës, por e të gjitha vendeve tjera, në të cilat promovohet ekonomia e lirë.

Fatkeqësisht, ndoshta për shkak të politikave jo të favorshme fiskale në të kaluarën, por edhe faktorëve të tjerë, problemeve tjera në mesin e të cilave bën pjesë edhe sundimi i dobët i ligjit, që mandej mundëson edhe lulëzimin e ekonomisë joformale - të gjitha këto kanë bërë që sektori privat mos ta luajë rolin e tij, që është dashur ta ketë - pra të jetë shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Përkrahja që është dashur të vijë nga ana e Qeverisë për sektorin privat do të duhej të shprehej përmes politikave më të favorshme, qofshin ato politika fiskale, apo lehtësi të tjera, të cilat do të mundësonin që bizneset e Kosovës, sidomos sektori vendor i prodhimtarisë të ndihet në një pozitë më të barabartë konkurruese me ndërmarrjet tjera.

Kjo përkrahje ose një mbështetje e tillë nga ana e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën ka munguar - ndoshta edhe si rezultat i asaj se nuk ka pasur një dialog të mirëfilltë midis sektorit privat dhe sektorit publik në Kosovë.

Tash pyetja e cila mund të paraqitet është se si do të mund të ndihmonte ky dialog i sektorit privat me atë të sektorit publik?

Do t’i kishte mundësuar sektorit privat që nga dora e parë ose direkt t’i shprehë shqetësimet e veta për mjedisin e të bërit biznes në vend dhe në të njëjtën anë do t’i mundësonte Qeverisë që të mësonte më shumë për këto probleme edhe natyrisht t’i adresonte ato probleme duke krijuar kushte më të favorshme për bërje të biznesit.

Vështirësitë, me të cilat përballen bizneset dhe sektori privat, në përgjithësi, në Kosovë, nuk janë thjesht çështje e shprehjes së disa ankesave të thjeshta, që nuk duhet të merren parasysh, meqenëse thuhen vetëm nga një grup i vogël i njerëzve - qofshin ato edhe shoqata afariste siç është edhe Oda Ekonomike Amerikane. Këto shqetësime janë adresuar edhe në raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare prestigjioze , si në raportin e Bankës Botërore për bërje të biznesit(Doing bussines) , i cili e mat lehtësinë e të bërit biznes në një vend, ku fatkeqësisht Kosova nuk rangohet në pozitë shumë të pëlqyeshme. Jemi pothuajse në fund në mesin e shteteve më të pazhvilluara. Është edhe Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i cili publikohet çdo vit.

Kur flas për mbështetje, dua të theksoj se jo ndoshta që nuk ka pasur mbështetje të duhur por shumë shpesh dikasterët kryesorë të Qeverisë së Kosovës dhe agjencitë e tjera shtetërore kanë shkelur ndoshta dispozitat kryesore të akteve të ndryshme rregullative dhe ligjore, duke nisur nga akti më i lartë që është Kushtetuta e vendit, e cila obligon institucionet e vendit që të angazhohen për promovimin e një ekonomie të lirë dhe një konkurrence të barabartë, në të cilën të gjithë akterët afaristë ose biznesor do të ndiheshin të barabartë.

Te praktikat e prokurimit publik, kemi shkelje jashtëzakonisht të mëdha aty. Oda Ekonomike Amerikane vitin e kaluar ka publikuar një dokument, ku përmblidhen problemet kryesore, me të cilat përballen bizneset dhe natyrisht dhe çështja e prokurimit publik është një temë e pashmangshme, në mesin e të gjitha atyre problemeve, me të cilat përballen bizneset.

Çështje shumë shqetësuese është fakti që kur bëhet shpallja e tenderëve të ndryshëm specifikimet teknike shkruhen në atë mënyrë që ato e paragjykojnë paraprakisht se kush do të jetë fitues i atij tenderi, meqenëse kërkohen gjëra, të cilat përmbushen vetëm nga një kompani e caktuar.

Kjo është shkelje jo vetëm e Kushtetutës së vendit, por është shkelje edhe e Ligjit të prokurimit publik , i cili e ndalon hapur hartimin e specifikave të tenderëve në atë mënyrë që favorizojnë një ofertues apo edhe i disfavorizojnë një apo më shumë të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë një problem mjaft i theksuar mbetet papunësia. Në sektorin publik, tashmë është bërë e ditur se nuk do të ketë vende të reja të punës deri në fund të viti 2015. Sa mendoni se sektori privat do të mund të ndihmojë në zbutjen e shkallës së varfërisë dhe si mund ta bëjë këtë?

ARIAN ZEKA
Sektori publik edhe nuk duhet të shihet si vend, i cili duhet të gjenerojë më tepër vende të punës. Dy- tri viteve të fundit ose më herët kemi pasur thirrje të vazhdueshme nga ana e FMN-së që të bëhen shkurtime në sektorin publik, meqë numri ekzistues i të punësuarve aty edhe tash është i lartë, prandaj s’mund të flitet për vende të reja të punës.

Sektori privat jo vetëm që duhet të jetë shtyllë për zhvillim ekonomik, por edhe për gjenerimin e më shumë vendeve të punës. Natyrisht me politika jo të favorshme, me mungesë të lehtësirave të caktuara, ose me përballje të një konkurrence jo të barabartë që vjen jo vetëm prej kompanive tjera nga rajoni, apo shkelje e konkurrencës për shkak të favorizimit të disa operatorëve të caktuar që marrin pjesë në tenderë, atëherë sektori privat e ka të pamundur të gjenerojë vende të reja pune , meqë tashmë përballen me telashe të mëdha të sigurimit të ekzistencës së tyre në tregun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Vetëm gjatë katër muajve të fundit kemi shuarje të mëdha të bizneseve. Çka ka bërë që të kemi këtë gjendje?

ARIAN ZEKA
Mbase s’duhet fajësuar vetëm institucionet e vendit, sepse mbyllja e bizneseve ndodh. Natyrisht që politikat e pafavorshme dhe ambienti jo i favorshëm i të bërit biznes, janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në mbylljen e bizneseve.

Sidoqoftë, mbyllja e bizneseve të reja, që kanë më pak se një vit ekzistence, është e pranishme edhe te vendet e tjera. Unë do të doja t’i fajësoja institucionet, por shumë shpesh është për shkak se vetë bizneset nuk arrijnë të sjellin një ide kreative që do t’u siguronte atyre ekzistencën e mëtejme në treg.

Fakt tjetër është edhe mungesa e zhvillimit të planeve konkrete afariste ose planeve të biznesit. Faktor i rëndësishëm është edhe mungesa e burimeve të financimeve për plane apo ide të ndryshme që këto kompani mund t’i kenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë çdo vit kemi rënie të investimeve të huaja. Pse po ndodh kjo? Ju si Odë Ekonomike Amerikane çfarë keni bërë në tërheqjen e investitorëve të huaj?

ARIAN ZEKA
Ne ofrojmë kushte të favorshme për investitorët e huaj. OEA e promovon Kosovën si ambient të përshtatshëm për të bërë biznes, qoftë përmes vizitave, misioneve tregtare, sidomos në SHBA, në mënyrë që para investitorëve potencialë t’i paraqesim potencialet e Kosovës për të investuar.

Nuk do të thosha që ka pasur rënie të investimeve të huaja, por ngecje ka pasur. Së paku nuk kemi parë një rritje, të cilën e kemi parë në vendet fqinje, si në Shqipëri, Maqedoni etj. Atje kemi parë një rritje të investimeve të huaja në vitet e fundit. Faktorët ndikues në ngecjen e investimeve te ne dhe në botë, mund të jetë edhe kriza botërore financiare.

Kompanitë amerikane si vend të përshtatshëm për investime e kanë kontinentin e Azisë - po flas për shtete që kanë një hov shumë të madh të zhvillimit ekonomik si Kina e India, Turqia.

Ne si Kosovë duhet të ulemi dhe të diskutojmë bashkërisht dhe të shohim se çka kanë ofruar këto e që mund ta ofrojë edhe Kosova për të tërhequr më shumë investitorë të huaj.

Ne kemi burime tërheqëse për investitorët e huaj, pasuri të shumta minerare, pasuri natyrore që mund të shërbejnë si faktorë të rëndësishëm për promovimin e investimeve të huaja, e që deri tani nuk janë shfrytëzuar e promovuar sa duhet nga institucionet e vendit. Mbase si rezultat i kësaj nuk kemi parë më tepër investime të huaja.

E rëndësishme është të eliminohen procedurat burokratike, ajo që quhet si “shirit i kuq”. Presim që të kemi një rangim më të mirë për shkak të reformave që janë ndërmarrë për shkurtimin e kohës për regjistrimin e biznesit. Mbase edhe Ligji i ri mbi ndërtimin do ta luajë rolin e vet për përmirësimin e rangimit, në momentin që institucionet lokale ose kushdo që është përgjegjës për lëshimin e lejes së ndërtimit, nuk jep përgjigje brenda një periudhe të caktuar, atëherë ai aplikim për leje të ndërtimit shihet si i aprovuar domethënë aprovim përmes heshtjes. Kjo dispozitë ligjore duhet t’i detyrojë, duhet të jetë si shtytje për komunat dhe institucionet tjera, të cilat lëshojnë leje pune që të punojnë shumë më shpejt ose së paku të japin një përgjigje qoftë ajo pozitive apo negative.

Ajo që është e rëndësishme të shohin investitorët e huaj para se të marrin vendimin për të investuar ose jo, është përmirësimi i ndjeshëm i sundimit të ligjit, eliminimi i problemeve që vijnë si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit, dhe një problem shumë i madh që rëndon në supet e Kosovës është edhe perceptimi për korrupsionin që është i lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një sondazh mbi korrupsionin në biznes të bërë nga organizata “GALLUP”, perceptimi për korrupsionin në bizneset në Kosovë, sipas këtij sondazhi, është 83 për qind. Çfarë ka bërë që ta kemi këtë gjendje?

ARIAN ZEKA
Përveç raportit të GALLUP-it, ekzistojnë edhe shumë raporte të tjera mbi perceptimin e korrupsionit, nga organizata ndërkombëtare apo vendore, të cilat potencojnë se në Kosovë ekziston një perceptim i lartë për korrupsionin, jo vetëm nga ana e bizneseve, por edhe nga ana e individëve të tjerë.

Oda Ekonomike Amerikane nuk ka kryer së fundi një raport të tillë. Sidoqoftë edhe ne ndoshta pajtohemi se perceptimi për korrupsionin është i lartë. Nuk po bëhet shumë nga institucionet e vendit për ta luftuar korrupsionin. Sistemi joefikas gjyqësor, mungesa e sundimit të ligjit, së paku jo në të gjitha pjesët e territorit të vendit kanë bërë që të ketë një prani më të lartë të korrupsionit.

Brengosëse është se nuk kemi parë viteve të fundit asnjë herë ndonjë rast më të ndjeshëm të korrupsionit që ka përfunduar në gjykatë dhe për të cilin është marrë ndonjë verdikt që do t’i kishte dekurajuar njerëzit apo zyrtarët e tjerë që të përfshihen nëpër akte korruptive.
XS
SM
MD
LG