Ndërlidhjet

Shkup: Ligji për mediat mbetet pezull


Fotogafi ilustruese
Fotogafi ilustruese
Propozim-ligji për punën e mediave të huaja në Maqedoni, mbetet për disa muaj pezull në Parlamentin Republikan, pas leximit të parë, me ç’rast pasuan reagime nga opozita si dhe punonjësit e mediave.

Partia shqiptare BDI u zotua se përmes propozim-amandamenteve do të eliminojë kufizimet që i parasheh ligji i propozuar nga qeveria.

Por tashmë disa muaj, askush në Parlament nuk di të shpjegojë arsyet pse ky ligj anashkalohet të vendoset në rend dite në seancat parlamentare.

Ndërkohë, punonjësit e mediave kanë adresuar një sërë vërejtjesh lidhur me ngecjet e theksuara të dialogut mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Shoqatës së Gazetarëve, sa i përket dekriminalizimit të shpifjes.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, thotë se përkundër kërkesave të vazhdueshme drejtuar ekzekutivit, akoma nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ai madje thotë se nëse deri në shtator nuk zgjidhjet çështja e dekriminalizimit, Shoqata e Gazetarëve do t’i shpallë të përfunduara bisedimet me qeverinë.

Mendoj se nëse ka vullnet politik nga ana e qeverisë që kjo çështje vërtetë të zgjidhet, mendoj se mund të arrihet një zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme edhe për ne si shoqatë e gazetarëve ashtu edhe për qeverinë”.

Për ne është shqetësues fakti se, për shkak të çështjes së kompensimeve, sa i përket dekriminalizimit. Për ne dekriminalizimi nuk paraqet synim të fundit, por dekriminalizimi paraqet vetëm një hap, që do të hapë shtigje, që do të çonin kah zgjidhja e problemeve me të cilat përballen mediat gjatë punës në Maqedoni”, thekson Selmani.

Por, zëvendëskryeministrja për çështje të integrimit evropian, Teuta Arifi, thekson se qeveria ka hedhur disa oferta në pikën më të ndjeshme, sa i përket dekriminalizimit, dhe shpreson që kjo çështje që përfundojë gjatë verës, para takimit të ardhshëm mes zyrtarëve të lartë të BE-së dhe qeverisë.

Deri më tani, gazetarët si palë, janë informuar për propozimin e qeverisë sa i përket dekriminalizimit. Faktikisht ne jemi dakorduar në parim që të dekriminalizohet shpifja dhe në të njëjtën kohë jemi në bisedim e sipër rreth çështjes së nivelit të dënimeve, për të cilën ka shumë dilema nga pala e gazetarëve”.

Shpresoj se ky proces së shpejti do të marrë një epilog pozitiv, dhe në të njëjtën kohë besoj se me ndihmën e BE-së do të jetë një proces që do të përfundojë në mënyrë të suksesshme, sa i përket realizimit të konceptit të përbashkët mes neve si qeveri, dhe Shoqatës së Gazetarëve”.

Arifi thekson pavarësisht sfidave që mund të paraqiten, për të prioritet mbetet procesi i dilaogimit me gazetarët, si proces i cili është iniciuar për herë të parë në Maqedoni, me qëllim që të përmirësohet gjendja mediatike.

Nga ana tjetër, gazetarët theksojnë se pushteti aktual ka instaluar kushte për të mbijetuar ekonomikisht vetëm mediat të cilat punojnë në funksion të politikës aktuale.

Çështja është se opinioni i përgjithshëm duhet të vetëdijesohet për rolin e mediave të lira, për informimin e drejtë dhe të balancuar, për transparencën, sa i përket punës së institucioneve shtetërore. Në këtë mënyrë të bëhet aleat i yni, mendoj gazetarëve, ngase mediat e përgjegjshme njëkohësisht janë mbrojtës të interesave të përgjithshme të qytetarëve, janë zë i popullit kundrejt interesave të politikanëve”, thekson Tamara Causidis – kryetare e sindikatës së gazetarëve të Maqedonisë.

Ndryshe , liria e mediave dhe dekirminalizimi i shpifjes janë ndër prioritet kryesore që kërkon Bashkimi Evropian, si kusht për përparim e vendit në proceset euro-integruese.

Ndërkohë, edhe në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, në pjesën që ka të bëjë me lirinë e mediave, është apostrofuar si mjaft shqetësues problemi i ndërhyrjes së ekzekutivit në punën e mediave.
XS
SM
MD
LG