Ndërlidhjet

logo-print

Asad fajëson "forcat e huaja" për krizën

  • RFE /RL

Bashar al-Asad (Foto nga arkivi)

Bashar al-Asad (Foto nga arkivi)

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, mbajti një fjalim para Parlamentit të vendit.

Ai nisi fjalimin duke nderuar “martirët civilë dhe ushtarakë”.

Asad tha se vendi i tij po përballet “me luftë të vërtetë të ardhur nga jashtë” dhe u zotua se nuk do të ketë kompromis në luftën me “terrorizmin”.

“Dua të them se kur e përshkruajmë këtë si çështje terrorizmi, nuk po flasim më në kuadër të politikës së brendshme. Ne po përballemi me një luftë të vërtetë nga jashtë dhe po merremi me një luftë që dallon nga ajo se si do të merreshim ne me palët brenda në Siri. Kjo duhet bërë shumë e qartë”, tha Asad.

Ai mohoi të ketë pasur ndonjë rol Qeveria në masakrën e Houlas, dhe e quajti atë “një krim të shëmtuar”.

Presidenti sirian tha se shteti po kalon fazën më kritike që nga përfundimi i kolonializmit.

Fjalimi i tij ishte i njëjtë me fjalimet e mëhershme, në të cilat ai fajëson terroristët për kryengritjen e vendit

Asad, gjithashtu, akuzoi sirianët e papunë se po paguhen të marrin pjesë në tubimet anti-qeveritare.

Varrosja e viktimave nga masakra në Houla, Siri.

Varrosja e viktimave nga masakra në Houla, Siri.

Fjalimi i tij i vjen një javë pasi që 108 njerëz u vranë në fshatin qendror të Houlas, përfshirë dhjetëra fëmijë e gra.

Vëzhguesit e OKB-së në vend thanë ekzistojnë dyshime të bazuara se milicia pro-qeveritare e njohur si Shabiha, është përgjegjëse për vrasjet.

Al-Asad theksoi se është duke vazhduar dialogu i sponsorizuar nga qeveria – por tha se qeveria nuk do të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës që gjenden në ekzil.

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 7 maj, pas miratimit të Kushtetutës së re, lejojnë një sistem shumëpartiak në vend, për herë të parë në disa dekada.

Grupet opozitare bojkotuan zgjedhjet.

“Procesi politik po ecën përpara, por terrorizmi vazhdon të përshkallëzohet pa ndalim. Në fillim thanë se problem ishte mungesa e partive politike (përveç asaj bathe) dhe ne miratuam Ligjin (për formimin) e partive, ata thanë se fillimi i nenit 8 (i Kushtetutës që i jep partisë bathe monopolin zyrtar) dhe ne e ndryshuam nenin 8 dhe tërë Kushtetutën, por realiteti ka mbetur i pandryshuar”, theksoi Asad.

Ndërkohë, aktivistët opozitarë, thanë se pesë njerëz janë vrarë në Siri të dielën, në kohën sa Asadi po mbante fjalimin.

Komiteti opozitar për Koordinim Lokal tha se vrasjet ndodhën në provincat e Alepos, Homsit dhe të Hamas.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër tha se janë dëgjuar dy shpërthime në Damask dhe në Alepo.

Organizata tha se ka pasur disa të lënduar nga shpërthimi në Alepo.

Lajmet nga Siria është vështirë që të verifikohen nga burime të pavarura, pasi që qeveria ua ka ndaluar mediave të huaja që të veprojnë lirshëm që nga nisja e kryengritjes në vend, më mars të 2011-s.(a.i.)
XS
SM
MD
LG