Ndërlidhjet

Dilemat serbe pas takimit me Nikolliqin


Mitrovicë

Mitrovicë

Politika dhe pozicioni i Beogradit në raport me Kosovën, dhe sidomos pjesën veriore, do të varen ekskluzivisht nga qeveria e re që do të formohet atje, thonë përfaqësues të serbëve dhe njohësit e rrethanave politike.

Të enjten, në Beograd, presidenti i ri serb, Tomisllav Nikolliq, ka pritur në një takim të përbashkët kryetarët ilegalë të komunave veriore të Kosovës, të cilëve fillimisht u kishte premtuar se do t’u dorëzonte edhe marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun Kosovë - Serbi, por që pas takimit doli se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Megjithatë, serbët nga veriu presin jo vetëm nga presidenti Nikolliq, por edhe nga qeveria e re serbe që t’i adresojë shqetësimet e tyre, pavarësisht faktit se këto kërkesa bien ndesh me rendin kushtetues të shtetit të Kosovës.

Dragisha Milloviq, i cili nga autoritetet në Prishtinë cilësohet si kryetar ilegal i komunës së Zveçanit, thotë se pret, para së gjithash, që në Beograd të formohet një qeveri demokratike, e cila do të ndërtojë një konsensus politik edhe për Kosovën.

“Para së gjithash, pres që në Beograd të formohet një qeveri kombëtare demokratike, e cila do të llogarisë në çdo pjesë të territorit, që do të luftojë me kapacitete të plota për Kosovën dhe e cila do ta zgjidhë statusin e Kosovës në harmoni me Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit”, thotë Milloviq.

Ai pret, po ashtu, që Beogradi ta vazhdojë përkrahjen për institucionet serbe në Kosovë, të cilat nga autoritetet e Prishtinës shihen si paralele dhe jo legale.

Mirëpo, sekretari në largim në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, nuk pret ndonjë ndryshim të pozicionit serb karshi Kosovës.

“Politikat që ka zbatuar qeveria e kaluar, presupozoj se do t’i zbatojë edhe qeveria e re. Kosova është pjesë konstitutive, kushtetuese e Serbisë dhe këtu asgjë nuk do të ndryshojë përderisa të mos ndryshojë Kushtetuta. E, për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë nuk ekziston as vullneti më i vogël politik”, shprehet Ivanoviq.

Ndërkohë, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare thotë se përfaqësuesit e serbëve që udhëtuan në Beograd, politikisht janë më të afërt me Nikolliqin. Por, ai i rikujton ata se politikën serbe në raport me Kosovën e udhëheqë qeveria.

“Udhëheqjen e politikës në raport me Kosovën, sa unë e di, Tomisllav Nikolliq do t’ia drejtojë qeverisë, sepse ajo i përket qeverisë”, konsideron Janjiq.

Ndërkaq, Jellena Miliq, drejtoreshë e Qendrës për Studime Evropiane në Beograd thotë se do të dëshironte të demantohej, por beson se Nikolliq nga posti i presidentit do të ndikojë në ndryshimin e politikës së deritashme në raport me Kosovën.

“Kam frikën se Tomisllav Nikolliq do t’i nënshtrohet interesit dhe ndikimit rus, duke përfshirë edhe interesin në lidhje me Kosovën, krahasuar me qeverinë e kaluar”, thekson Milliq.

Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e veriut, të cilët në Prishtinë njihen si kryetarë ilegalë të komunave veriore, presidenti serb, Nikolliq, ka paralajmëruar se do t’i takojë edhe serbët e viseve tjera të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG