Ndërlidhjet

Interesimi i të rinjve për Euro 2012


Një mbështetës i Kroacisë mban një top ku shkruan " "Pranojeni Kosovën në UEFA".
Një mbështetës i Kroacisë mban një top ku shkruan " "Pranojeni Kosovën në UEFA".
Kampionati Evropian i Futbollit, i cili që nga 8 qershori po zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë, nga të rinjtë në Kosovë vlerësohet si një festë e futbollit.

Në rubrikën tonë të përjavshme për të rinjtë, VOX, ata thonë se tashmë po i ndjekin ndeshjet e para të këtij kampionati dhe po bëjnë tifozllëk për ekipet, të cilat i konsiderojnë si favorite të këtij kampionati.



Arben Selmani, student në Fakultetin Teknik, thotë se nëpër mjaft lokale janë vënë projektorët dhe të rinjtë po i përcjellin ndeshjet e kombëtareve pjesëmarrëse në Kampionatin e Futbollit Euro 2012. Sipas tij, tashmë ndihet atmosfera e sportit gjatë këtyre ditëve, ndonëse është vetëm fillimi i kampionatit.

“Në Kosovë ka interesim të madh, sidomos nga të rinjtë. Ka disa ambiente, për shembull nëpër bastore, kafene dhe në disa vende ku i kanë vendosur projektorët. Mirë deri diku, por ndeshjet e para nuk kanë qenë ato të favoritëve dhe ekipet kanë qenë ato që janë më ‘autsider’ kështu që nuk kemi pritur diçka shumë të madhe prej tyre”.

“Për fillim... mirë është. Të dielën do të jenë ndeshjet më interesante. Gjermania dhe Spanja mendoj se janë favorite për të fituar Kampionatin Evropian, por janë edhe ekipe që më pëlqejnë”, shprehet Arben Selmani.

Agron Krasniqi, student i Fakultetit Juridik, thotë se tashmë në qytetin e Prishtinës ekzistojnë disa mundësi e forma për të rinjtë që ta ndjekin Kampionatin Evropian të futbollit. Edhe ai i ka favoritët e tij në këtë kampionat:

“Kanë organizuar kafeteritë e Prishtinës, pak për përfitimin e tyre e pak për kënaqësinë e qytetarëve dhe i kanë vendosur projektorët dhe ekranet e ndryshme. Kemi ku të shkojmë. Atmosferë e mirë. Disa anojnë për njërin ekip e disa për tjetrin. Grupi B është grupi më i fortë që ka mund të jetë ndonjëherë në Kampionatin Evropian”.

“Secili ekip është i fortë, secili e ka stilin e vet të lojës, secili e ka gjeneratën e përtërirë. Sonte (e diel) do të jetë diçka e mirë... Spanja dhe Italia. Por, për mendimin tim, Spanja është larg më e mirë se sa Italia. Për mendimin tim, favorite është Spanja, por unë kam dëshirë të fitojë Holanda”.

Dëfrim Përvetica, student, i cili kishte veshur një fanellë të kombëtares së Gjermanisë, thotë se i ka lënë përshtypje fillimi i këtij Kampionati Evropian të Futbollit.

“Sidomos, fillimi, do të thotë, hapja më ka pëlqyer. Ka qenë tepër interesante, e thjeshtë dhe e mirë. Pritet të jetë lojë interesante, një spektakël që zgjat rreth 1 muaj dhe me ethe. Për favorit, Gjermaninë e kam në zemër dhe po pres që të bëjë diçka dhe të vazhdojë deri në fund”, thotë Dëfrim Përvetica.

Edhe Donat Lushaku, student, thotë se është dashamir i futbollit dhe kampionatin e sivjetmë evropian po e përcjell me interesim:

“Patjetër. Mendoj se grupi më i vështirë, prej katër grupeve, është Grupi B ku bëjnë pjesë Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Portugalia. Ndërsa, ekipi im favorit për këtë evropiane është Gjermania. Besoj se ka kualitete të mira dhe ka ekipin më të ri në moshë. Domethënë, 24 vjet është mesatarja e ekipit. Sipas mendimit tim, finalja do të jetë Gjermani-Spanjë ose Gjermani-Holandë”.

Ekipet pjesëmarrëse në Euro 2012 i kanë tifozët e vet. Një nga ta është edhe Arta Rexha, nxënëse e shkollës së mesme. Edhe ajo e ka ekipin e saj favorit.

“Pasi që jam me Realin e Madridit dhe pasi që e dimë se ylli i Real Madridit është Ronaldo, e ky i fundit është me Portugalinë dhe për këtë arsye unë jam me Portugalinë”, tregon Arta Rexha.

Ndërkaq, ja çfarë thotë Gentiana Shalaku:

“Thënë të drejtën, nuk e di se kush është në lojë e kush jo, sepse nuk e shikoj shumë dhe nuk kam lidhje me futboll. Por, Spanja do të kisha dëshirë të fitojë, sepse më pëlqen si vend”.

Por, ja se si i komenton mundësitë e kombëtareve të preferuara, Sokol Makolli, 10 vjeç, i cili thotë se po e ndjek me mjaft interesim Kampionatin Evropian të Futbollit:

“Dihet kjo... Spanja. Janë dy ekipe...Portugalia ose Spanja. Unë besoj që Spanja ka për ta fituar kupën e Kampionatit Evropian të Futbollit, sepse i ka të gjithë lojtarët e fortë. Gati të gjithë janë të Barcelonës, si për shembull : Xavi, Iniesta, Fabregas, Albiol. I ka më të fortë se Portugalia, e cila i ka vetëm Kristiano Ronaldon dhe Pepen - këta dy dhe s’ka të tjerë”.

Granit Morina thotë se e përcjell kampionatin me qejf, por, sipas tij, më me qejf do të kishte bërë tifozllëk për vendin e tij.

“Me qejf e kemi pritur edhe pse më qejf do të kishim sikur të kishin marrë pjesë Kosova dhe Shqipëria. Por, pasi që nuk marrin pjesë, shpresoj që do të fitojë favoriti kryesor, Italia, sepse ka lojtarë të mirë aty, siç është Adrian Perlo, dirigjenti i ekipit”, thekson Granit Morina.

Ndryshe, që nga fillimi i Kampionatit Evropian të Futbollit, nuk ka munguar edhe vënia e basteve nga të rinjtë, për ekipet që ata i konsiderojnë favorite.

Ilir Sylejmani, menaxher i bastores “Loto –sport” thotë se bastet nuk janë të mëdha, por ato më shumë bëhen për tifozllëk.

“Interesimi është i madh, por, sa për baste, pak a shumë, tash edhe kushtet ekonomike në Kosovë nuk i lejojnë të luajnë shumë. Por, megjithatë luajnë nga pak. Shikojnë lojën me emocione dhe shumica luajnë për tifozllëk. Ai që e ka merak ekipin e vet, luan bast për ta bërë më interesante. Por, më favorite janë Holanda, Gjermania dhe Spanja, deri tash. Të shohim... Nuk i dihet. Ky është futboll”, thtoë Ilir Sylejmani.
XS
SM
MD
LG