Ndërlidhjet

Maqedoni: Sfida të reja në procesin e integrimit


Ilustrim
Ilustrim
Paralajmërimet ditë më parë nga ana e kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë zgjidhje mes Shkupit dhe Athinës nëse emri i ri i Maqedonisë do të merrte prapashtesën gjeografike “Veriore” apo do të quhej “Maqedonia Veriore”, vlerësohet si rrethanë serioze që edhe më shumë do të ndërlikonte procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

Përplasjet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë filluan para një muaji kur autoritetet e Shkupit ndaluan ambasadorin bullgar të vendosë lule në një përvjetor të Goce Dellçevit, për të cilin dy vendet pretendojnë se i takon historisë së akëcilës.

Analisti Xhelal Neziri thotë se provokimet e këtilla të Shkupit zyrtar, vetëm sa nxjerrin në sipërfaqe problemet që realisht i ka Maqedonia me fqinjët e saj, ndërsa nuk përjashton mundësinë që kushtëzime të vijnë dhe nga shtetet tjera, nëse vazhdohet me, siç shprehet Neziri, politikën e provokimeve dhe të nënçmimit.

“Bullgaria tani është në pozicion që të tregojë se është e aftë të mbrojë atë pjesë të historisë, për të cilën pretendon se është e saj. Pra, nëse Maqedonia ka probleme me emrin me Greqinë, tani do të ketë probleme për historinë dhe gjuhën me Bullgarinë, e cila, siç dihet është vend anëtar në NATO dhe e BE, njëjtë si Greqia”.

“Nëse vazhdohet me këtë politikë, sidomos në raport me shqiptarët, e cila, vlerësohet si diskriminuese dhe nënçmuese, unë mendoj se Maqedonia në të ardhmen mund të ketë probleme edhe me Shqipërinë, e cila do të paraqitet si pengesë e tretë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-së”
, thotë Neziri.

Ndërkohë, ish-diplomati Alajdin Demiri, thotë se kreu shtetëror duhet të përballet me realitetin dhe përfundimisht të heqë dorë nga politika e mashtrimeve, siç shprehet Demiri. Në rastin me Greqinë, çështja e emrit është përzier me antikën, që sipas Demirit, e vendos Maqedoninë në pozitë të disfavorshme.

“Duhet të ndryshohet emri edhe atë jo për arsye të shpërbërjes së Maqedonisë, por për arsye të qasjes serioze dhe reale ndaj historisë, ndaj së kaluarës dhe ndaj të tashmes. Përzierja e identitetit maqedonas me antikën greke është problem serioz dhe prandaj duhet të bëhet kjo zgjidhje e emrit, jo për NATO-n dhe jo për BE-në, por për arsye se duhet një qasje serioze ndaj realitetit. Realiteti tjetër i vjedhjes është profitabil për VMRO DPMNE-në; është profitabil pasi i sjell vota, i sjell pushtet dhe i sjell pozitë”, thekson Demiri, ish-diplomat.

Nga ana tjetër, duke komentuar zërat e ndryshëm në opinion, e në veçanti pas samitit të NATO-s në Çikago se Maqedonia duhet të kërkojë alternativa tjera, për shkak të, siç thuhej, qasjes joserioze dhe kushtëzuese të bashkësisë ndërkombëtare, profesori universitar, Stevo Pendarovski vlerëson:

“Sipas bindjes time, nuk duhet të mendojmë për modele tjera alternative për çështjen e sigurisë për disa arsye, por më e rëndësishmja është se në gjithë hapësirën e Euro-Azisë nuk ekziston asnjë organizatë tjetër me profilin që ka Aleanca veri-atlantike, që mund t’i përmbushë kërkesat dhe nevojat tona në aspektin e sigurisë”.

“Ekzistojnë disa organizata të sigurisë, por që janë shumë larg perfomansave që ka NATO-ja e që është dëshmuar në veçanti në 20 vitet e fundit. Pra, përveç NATO-s nuk mund të ketë alternativë tjetër për Maqedoninë dhe për të qenë pjesë e kësaj aleance, duhet përmbushur edhe kushte tjera politike dhe ekonomike, e që janë shumë të mira për zhvillimin e demokracisë”.


Pavarësisht vlerësimeve të këtilla, drejtuesit e institucioneve thonë se Maqedonia mbetet e përkushtuar për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme me Greqinë, ndërsa nuk janë komentuar kushtëzimet e reja që vijnë nga Bullgaria.

Zyrtarët të Qeverisë së Maqedonisë kanë thënë se janë në pritje të një stabiliteti politik në Greqi që të mund të kenë palë legjitime për të negociuar zgjidhjen shumëvjeçare të çështjes së emrit dhe zhbllokimit të procesit integrues.
XS
SM
MD
LG