Ndërlidhjet

AKK: Serbia sërish shkel marrëveshjen për përfaqësim rajonal


Takimi ne Tulcea të Rumanisë, 15 qershor, 2012
Takimi ne Tulcea të Rumanisë, 15 qershor, 2012
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Kosova po përfaqësohet me të drejta të barabarta dhe me flamurin e shtetit në Konferencën Rajonale, të organizuar nga NALAS-i (Rrjeti i Asociacioneve të Autoriteteve Lokale në Evropën Juglindore), që po mbahet në Tulcea të Rumanisë.

Përmes një njoftimi për media, ky asociacion, bën me dije, se përfaqësuesit e Serbisë nuk janë duke marrë pjesë.

Pjesëmarrja e Kosovës si shtet në takimet rajonale, me gjithë marrëvshjen e arritur në Bruksel, ka hasur në kundërshimin e Beogradit zyrtar.

Një ditë më parë, ministri në largim i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq ka thënë se “aty ku është Serbia, nuk mund të jetë Kosova”.

Ndërsa, shefi negociator serb, Borko Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të largohet nga çdo takim, po që se zyrtarët kosovarë, në tabelën përpara, nuk e kanë të shkruar të plotë fusnotën, që mundëson pjesëmarrjen në takimet rajonale.

Ndryshe, Kosova në takimin e Rumanisë përfaqësohet nga Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK).

“Flamujt e të gjitha shteteve të Evropës Juglinodre përfshirë edhe të Kosovës, janë të pranishme në tavolinën e punës derisa përfaqësuesit e shtetit të Serbisë nuk janë duke marrë pjesë në këtë takim edhe pse janë anëtarë të NALAS-it, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Në këtë konferencë përveç tjerash po diskutohet rreth ndryshimeve klimatike - ndikimi në botë, sfidat dhe detyrat e obligimet që autoritetet lokale kanë në të ardhmen rreth kësaj çështje.
XS
SM
MD
LG