Ndërlidhjet

Rritet numri i përdoruesve të substancave narkotike


Ilustrim

Ilustrim


Numri i përdoruesve të substancave narkotike është çdo ditë në rritje, bëjnë të ditur zyrtarë që merren me këtë çështje.

Por, shqetësues mbetet fakti se në Kosovë, fëmijët prej moshës 12 vjeçare përdorin substanca narkotike.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese nga droga “Labirinti”,thotë se edhe numri i personave që po vdesin si pasojë e përdorimit të substancave narkotike, është rritur dukshëm.

Numri i përdoruesve të drogave është në rritje, posaçërisht të rinj nën moshën 18 vjeçare. Mosha, si duket e ka mbërritur moshën më të ulët të mundshme, atë 12 vjeçare.
Lloji i drogës ‘marihuana’, është jashtëzakonisht e përhapur te të rinjtë
”, bën të ditur Blakaj.

Autoritetet e rendit flasin për raportet e tyre lidhur me konfiskimin e substancave narkotike, për periudhën janar - qershor të këtij viti.

Ne kuadër të Policisë së Kosovës, ekziston drejtoria për hetimin e trafikimit të substancave narkotike. Në bazë të raportit që kemi marrë ditët e fundit, konfiskimi i drogave për 6 mujorin e këtij viti, janar - qershor, 49 kilogram heroinë është konfiskuar, marihuanë 456 kilogram, kokainë rreth 4 kilogramë, bimë të kanabisit 1682, dhe 153 ekstazi”, thotë Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës.

Sipas saj, autoritetet e rendit, me problematikën në fjalë merren edhe në baza ditore, përpos aksioneve të planifikuara që i kanë.

Policia, në baza ditore merret me këtë problematikë. Ne hasim çdo ditë në persona që kanë në xhepat e tyre substanca narkotike, kryesisht marihuanë, e që janë përdorues të këtyre drogave. Më pas, hapet procedura ndaj tyre, dhe pastaj, me autorizim të prokurorit, ndalen për 48 orë”, thekson Kamberi.

Sipas statistikave që qendra “Labirinti” posedon, rreth 20 për qind e nxënësve në shkolla, përdorin substanca narkotike.

Zoti Blakaj pohon se një prej mundësive se si vijnë të rinjtë deri tek abuzimi me substanca narkotike, për të cilën tash e sa kohë flitet, është edhe furnizimi me trodonë.

Trodoni është një ilaç që njihet si analgjetik, por që shumë përdorues të substancave narkotike e shfrytëzojnë si zëvendësim. Blakaj, thotë se qasja deri te këto ilaçe është shumë e lehtë.

Ndërsa, psikologët në vend thonë se përdorimi i substancave narkotike, sidomos te moshat e reja, lë pasoja shumë të mëdha.

Anduena Arrni, psikologe, kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se kanabisi është droga më e përhapur në treg, dhe kjo bën që të jetë e përdorshme në moshë shumë të re.

Ajo gjithashtu ka thënë se efektet dhe rreziqet e saj shëndetësore janë të mëdha, dhe po ashtu ajo shkakton edhe ankth e halucinacione.

Sidoqoftë, vitin e kaluar, 14 persona kanë vdekur si pasojë e përdorimit të substancave narkotike.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG