Ndërlidhjet

EULEKS: Fuqishëm dënohet sulmi në portën 31


“EULEKS-i fuqishëm i dënon ata që kanë ndërmarrë sulm në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në pikë-kalimin ndërmjet Kosovës e Serbisë, në portën 31”, thuhet në një kumtesë të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEKS.

Mëtutje, theksohet se ishin hedhur dy granata dore, ndërsa vetëm njëra kishte eksploduar.

Një ushtar i KFOR-it është lënduar dhe janë shkaktuar dëme materiale.

“Vetëm për shkak të fatit, askush nuk është plagosur seriozisht apo vrarë”, thotë EULEKS-i dhe shton se “aksionet e këtilla janë totalisht të papranueshme”.

Misioni i BE-së e ka lansuar një hetim për gjetjen e autorëve të sulmit.

“Një sulm i këtillë është sulm në komunitetin ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën me shkrim të EULEKS-it, dhe konkludohet se porta 31, pas një kohe të shkurtër është hapur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe EULEKS-in, nuk do të zmbrapsen nga sulmet e këtilla qyqare.
XS
SM
MD
LG