Ndërlidhjet

Kuvendi nuk heq nenet 37 dhe 38, AGPK "e tmerruar"


Kuvendi i Kosovës - foto arkivi
Kuvendi i Kosovës - foto arkivi
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar heqjen e neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 8 maj, ka marrë vendim që Kodin Penal t’ia kthejë Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim, duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj".

Andaj, një qëndrim i tillë i presidentes ishte kuptuar si kërkesë për heqjen e këtyre neneve nga Kodi Penal. Po ashtu, edhe Komisioni Funksional kishte propozuar heqjen e këtyre neneve.
Mirëpo, procedura e votimit ka sjellë si rezultat 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime.

Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti, tha se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi që kërkohen 61 vota për.

Me këtë vendim është shprehur “i tmerruar” Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK).

“AGPK konsideron se me këtë vendim, Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë. Votimi i deputetëve tregon për papjekuri politike dhe tendenca diktatoriale ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.
XS
SM
MD
LG