Ndërlidhjet

“Erë e keqe” gjatë prezantimit të privatizimit të Distribucionit të KEK-ut


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Komiteti qeveritar për privatizimin e Distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës, të premten ka prezantuar konzorciumin fitues “Çalik & Limak”.

Por, me të filluar takimi, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, e penguan zhvillimin e këtij takimi, nëpërmjet bombolave kundërmuese, të cilat pamundësuan qëndrimin e mëtutjeshëm të të pranishmëve në sallën e takimit.

KEK-u
KEK-u
Në një komunikatë për media, kjo lëvizje tha se ky aksion është ndërmarrë, sepse “privatizimi i rrjetit të distribucionit dhe shpërndarjes së KEK-ut është një prej akteve më shqetësuese që ka ndërmarrë Qeveria Thaçi. Shitja e këtij aseti të rëndësishëm publik, duke ndërtuar një monopol privat që përfshin edhe rrjetin, po edhe tregtimin e energjisë, e dëmton rëndë ekonomikisht Kosovën, dhe secilin qytetar të saj”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, këtë akt e quajti të ulët dhe një formë të keqe të protestës.

“Të gjithë ata, të cilët kanë pasur një mospërgjegjësi të tillë sociale dhe humane, sigurisht që do të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, tha Beqaj.

Ky veprim vjen pas debatit të ashpër të zhvilluar të enjten në Kuvendin e Kosovës lidhur me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes së KEK-ut, pasi lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, pati bërë të ditur se do të bëjnë çdo gjë që ta pengojnë këtë proces.

Ministri Beqaj, është shprehur se privatizimi i Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), është zhvilluar konform bazës ligjore në vend. Beqaj sqaroi se ekzekutivi do të përkushtohet në fuqizimin e sektorit privat, konkretisht në përmirësim të qëndrueshmërisë energjetike në vend.

“Kompania fituese do të hyjnë në investime në një periudhë afat-mesme prej 300 milionë eurosh, por njëkohësisht ka marrë obligim që të bëhet reduktime në humbjet komerciale në 3 për qind në tre vjetët e parë dhe 2.5 për qind në dy vitet pasuese”, shtoi Beqaj.
XS
SM
MD
LG